Lidhje

Liberalët dhe konservatorët: Betejë për votat e amerikanëve - 2003-11-01


Të martën, në gjithë Shtetet e Bashkuara do të zhvillohen zgjedhjet lokale dhe të shteteve, një vit para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2004.

Votuesit do të zgjedhin mes demokratëve dhe republikanëve dhe në një shkallë më të vogël mes kandidatëve të pavarur dhe të Partisë së Gjelbërt. Ajo që tërheq vemendjen në këtë klimë potike gjithnjë e më të shqetësuar janë etiketat: liberal dhe konservator.

Rich Killion është drejtor i qendrës Marlin Fitzwater për komunikimet pranë kolegjit Franklin Pierce. Kjo qendër mban emrin e zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë gjatë administratës së presidentit Ronald Reagan dhe presidentit të mëparshëm George Bush.

Zoti Killion thotë se e majta politike në Amerikë është ushqyer nga një rrjet i fuqishëm organizatash lokale, si sindikatat dhe grupet ambjentaliste, ndërkohë që analistët e krahut të djathtë kanë frymëzuar krijimin e një baze të apasionuar konservatore.

Gjithnjë e më shumë, thotë ai, secila palë e shikon tjetrën jo si një kundërshtare të respektuar, por gati si mishërim të armikut. Kjo përbuzje shprehet në një urrejtje personale të papërmbajtur për presidentin republikan, George Bush, në disa qarqe dhe për ish presidentin demokrat, Bill Clinton, në disa të tjera. “Për shembull, në jug ka nga ata kandidatë që e krahasojnë veten me senatorin Ted Kennedy, i cili është shumë liberal. Nga krahu tjetër, personifikimi i republikanit tepër konservator është prokurori i përgjithshëm, John Ashcroft. Sa herë që një kandidat demokrat përmend emrin e zotit Ashcroft, fishkëllimat dhe thirrjet janë më se të qarta.”

Në disa programe televizive, drejtuesit e emisioneve dhe të ftuarit, që zakonisht janë strategë politikë ngrenë zërin kur paraqesin pikëpamjet e tyre, flasin me sarkazmë për kundërshtarët e tyre por rrallë herë diskutojnë për çështje thelbësore.

Kjo i irriton votues si Tara McBride, e cila i quan programe të tilla si sherr grash, dhe natyrisht që sherret në televizion gjejnë treg midis shikuesve.

Por batutat që hidhen si nga njëra palë edhe nga tjetra nuk mund të sqarohen brenda kohës së kufizuar të një programi televiziv. Megjithatë, ato kanë sukses për palën konservatore, thotë Iva Deutchman, drejtuese e një programi radiofonik në shtetin e New Yorkut.

“Në se bën një kërkim në internet, del se kritikët konservatorë citohen në artikujt e gazetave dhe revistave rreth 48 përqind të kohës, krahasuar me kritikët e ashtuquajtur liberalë, të cilët citohen 16 përqind të kohës. Dikush ka thënë kohë më parë se Liria e Shtypit i takon atij që e ka shtypin. E thënë ndryshe, për t’u komentuar pozitivisht nga shtypi duhet ta kesh mirë me analistin që komenton në shtyp.”

Megjithatë, cilatdo qofshin lidhjet e tyre partiake, një shumicë votuesish amerikanë, duke përfshirë edhe menaxherin e marketingut, Cary Willis nga Lluivilli i shtetit Këntaki, thonë se janë të hapur për të votuar për kandidatin më të mirë.

Ka një arsye të fortë se pse konservatorët dhe liberalët godasin njëri-tjetrin, veçanërisht para votimeve si ato të këtij viti, një vit para zgjedhjeve presidenciale. Zakonisht këto zgjedhje nuk tërheqin shumë votues.

Ata që marrin pjesë në këto zgjedhje janë votues të vendosur, ideologjikisht të vendosur, mbështesin partinë financiarisht dhe marrin energji nga politikat dinamike. Sipas zotit Rich Killion, problemi është se debatet e nxehta ftohin njerëzit që nuk votojnë gjithnjë dhe duke mos votuar këta, shtohet ndikimi i atyre që janë votues të përhershëm.

Por nëse politikat e sotme ekstreme liberale dhe konservatore i largojnë më shumë votuesit se sa i tërheqin ata, a mund të ketë atëhere vend për krijimin e një partie të re politike, që të tërhiqte demokratët dhe republikanët e moderuar?

Sipas disa analistëve, kjo nuk ka të ngjarë të ndodhë së shpejti. Ajo që ka të ngjarë të ndodhë është se Shtetet e Bashkuara do të shikojnë gjithnjë e më shumë kandidatë si Arnold Shvarcenegeri, i cili gjatë fushatës iu drejtua votuesve të të dyja partive: si konservatorëve ashtu edhe liberalëve.//kk//

XS
SM
MD
LG