Lidhje

Statusi i Kosovës mund të diskutohet që në vitin 2005 - 2003-11-04


Një zyrtar i lartë i amerikan ndodhet në Ballkan për të rishqyrtuar përparimet e bëra në rajon gjatë 10 vjetëve të fundit. Zëvendës Sekretari i Shtetit për Çështjet Politike, Marc Grossman, tha se në se autoritetet vendore në Kosovë i përmbushin me sukses standartet deri në mes të vitit 2005, atëhere do të merret në shqyrtim hapja e negociatave për statusin përfundimtar. Çështja e statusit të Kosovës do të jetë një ndër qëllimet kryesore të vizitës në Ballkan të numrit tre të Departamentit të Shtetit, Zëvendës Sekretarit për Çështjet Politike Mark Grossman. I vetëdijshëm për paqartësitë dhe pakënaqësitë e shkaktuara lidhur me standartet që duhet të plotësojë Kosova para se të hapet çështja e statusit, Uashingtoni synon përcaktimin e objektivave më të qarta, më konkretë, që mund të maten më lehtë, në se janë përmbushur apo jo. Një zyrtar i lartë amerikan i tha Zërit të Amerikës se së shpejti pritet të bëhet publik një plan përkatës pune për këtë qëllim. Plani pritet të lëshohet nga UNMIKU në Prishtinë.

Duke shpjeguar misionin e turneut të zotit Grosman në disa vende ballkanike, zyrtari i lartë amerikan tha se çështja e statusit të Kosovës mund të hapet që në mes të vitit 2005. Por për këtë Kosova duhet të këtë bërë përparim drejt plotësimit të standarteve. Zyrtari i lartë tha se, nga mesi i vitit 2005 do të bëhet një rishikim i përparimit që kanë arritur autoritetet vendore drejt përmbushjes së standarteve. Dhe në se vlerësimi është pozitiv, Uashingtoni do t’i rekomandojë Këshillit të Sigurimit të OKB-së të fillojë procesin për përcaktimin e statusit final. Por në se gjatë këtij rishikimi, përfundimi është negativ, siç ka ndodhur disa herë në Ballkan, atëhere ky proces do të shtyhet dhe do të caktohet një afat i ri për rishikimin e gjendjes.

Zyrtari i lartë amerikan tha se Uashingtoni do të luajë një rol aktiv në këtë proces, së bashku me aleatët evropianë dhe në bashkëpunim me administratën e OKB-së në Kosovë.

Sipas zyrtarit të lartë amerikan Uashingtoni kërkon të përshpejtojë procesin e integrimit të Ballkanit me pjesën tjetër të Evropës, pasi kjo do të ishte rruga më e mirë për të afruar ditën kur forcat amerikane do të largohen nga rajoni. Por zyrtari i lartë sqaron me shpejtësi se kjo nuk do të thotë që Shtetet e Bashkuara do të braktisin Ballkanin, kjo do të thotë që të shpejtohet dita kur Ballkani do të hyjë në Evropë. Sipas tij, Uashingtoni po dërgon një zyrtar të nivelit të tillë të lartë si zoti Grossman në rajon, për t’u dërguar një mesazh të qartë qeverive të këtyre vendeve për të ecur me shpejtësi në rrugën e reformave dhe për t’u treguar se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për ta parë Ballkanin në Evropë.

Por integrimi kërkon më parë zgjidhjen e disa prej problemeve të mbetura hapur që pas luftrave ballkanike. Dhe ndër më të vështirët është çështja e statusit përfundimtar të Kosovës. Synimi i vizitës së zotit Grosman është pikërisht të nxisë udhëheqësit vendas të ecin më shpejt në zbatim të politikës së standarteve para statusit.

Pas konsultimeve në Beograd, Nënsekretari Grosman shkon të mërkurën në Prishtinë dhe e vazhdon më tej turneun me ndalesa në Shkup, Tiranë dhe Sarajevë.

//rd//

XS
SM
MD
LG