Lidhje

Gjurmët e grave amerikane në biznes - 2003-11-13


Kur mendon për gjigandët e biznesit amerikan, të vijnë ndër mend emra të tillë si Bill Gates apo John D. Rockefeller, por ndoshta jo Linda Alvarado, CJ Walker apo Hetty Green. E megjithatë, këto gra kanë lënë gjurmët e tyre në ekonominë amerikane dhe, së bashku me 40 gra të tjera afariste të sukseshme, janë përfshirë në një ekspositë të re në Muzeun Kombëtar të Grave në Veprat e Artit.

Ekspozita ”Gratë Afariste: 250 vjet Biznes Amerikan” fillon me kohën e tashme me fotot dhe video-portretet e disa prej drejtueseve afariste më me ndikim, si Linda Alvaro e cila është pronare e ekipit të bejzbollit Colorado Rockies, Meg Whitman, presidente e kompanisë së ankandeve përmes internetit e-BAY, dhe manjaten e medias, Oprah Winfrey. Punonjësja e muzeut, Susan Fisher Graham, thotë se kur këto gra kaq të sukseshme shikohen si persona, është më e lehtë të ndjesh një lidhje me to. ”I sheh kur kanë qenë fëmijë e pastaj duke u rritur e duke zbuluar aspiratat e tyre. Pastaj i sheh të sukseshme dhe del në përfundimin se nga mosha 5 deri në 50-vjeçare ato kanë arritur shumë”.

Ekspozita i kthen vizitorët prapa në kohë, në ditët e hershme të krijimit të kombit amerikan. Zonja Fisher Graham thotë se në vitet 1750 jetonte Katherine Goddard, pronare shtypshkronje në Baltimore. ”Ajo ka shtypur Deklaratën e Pavarësisë bashkë me firmat e nëshkruesve. Ajo shtypte një gazetë dhe të gjitha llojet e tjera të dokumentave të rëndësishme të asaj kohe. Ishte aq e sukseshme dhe e respektuar dhe sa tragjike është të mendosh se si kushëriri i saj arriti t’ia zhvaste biznesin për shkak të statusit ligjor që kishin gratë”.

Zonja Fisher Graham thotë se, megjithatë, gratë kanë vazhduar të lënë gjurmët e tyre në fusha tradicionalisht të zotëruara nga meshkujt. Ajo përmend një nga gratë më të pasura të botës në fillim të shekullit të 20-të, Hetty Green.

”Ajo ishte tepër e lidhur pas tregut të aksioneve në Wall Street dhe u bë shumë e pasur, por nuk tregonte aspak kujdes për veshjen. Qeskat me para i mbante nën fundin e saj dhe jetonte si varfanjake. Njerëzit e dinin këtë dhe e thërrisnin Shtriga e Wall Street-it për shkak të pamjes së saj dhe ngaqë gratë, të cilat vepronin në fushat e burrave, mendoheshin si jo-femërore”.

Një afariste tjetër e përfshirë në këtë ekspozitë e bëri pasurinë e saj duke ndihmuar gratë të duken femërore e të ndjehen mirë me veten e tyre. Më 1905, Madam C.J. Walker krijoi dhe filloi të marketimin e produkteve të kozmetike e të tjera të kësaj natyre për gratë afrikano-amerikane.

”Ajo ishte zezakja e parë që zhvillonte teknika kujdesi për flokët dhe produkte kozmetike për gratë e racës së saj dhe u bë shumë e pasur me këtë. Më e rëndësishmja është se ajo u dha afrikanë-amerikaneve shansin të kishin biznesin e tyre në sallonet e saj të bukurisë që i përhapi në të gjithë vendin”.

Një nga organizatoret thotë se është e rëndësishme të kujtohet fakti që këto gra dhanë një kontribut të konsiderueshëm në ekonominë amerikane, me gjithë pengesat sociale e ligjore.

//rd//

XS
SM
MD
LG