Vala e arrestimeve të fundit të përdoruesve të Internetit në Kinë, ka rritur shqetësimet se autoritetet po venë në shënjestër njerëzit e thjeshtë dhe po i akuzojnë ata për veprimtari armiqësore. Kjo prirje shënon një ndryshim nga e kaluara, kur policia përqendrohej tek disidentë të shquar.
Para arrestimit të saj, më shumë se një vit më parë, Liu Di, ishte studente psikologjie e njohur vetëm nga disa përdorues Interneti që kishin lexuar shkrimet e saj, në të cilat ajo fliste për gjithçka që nga ndërtimi nervor i njeriut e deri tek literatura bashkëkohore.
Tani, ajo mbahet në burg si disidente prej më shumë se një viti dhe është në qendër të opinionit ndërkombëtar, ndërkohë që veprimtarë të të drejtave të njeriut kërkojnë lirimin e saj. Asnjë akuzë nuk është ngritur kundër saj.
Para arrestimit, 23 vjeçarja Liu Di jetonte me gjyshen, Liu Heng. Edhe zoja Liu, gazetare në pension, ishte burgosur nga qeveria komuniste e Mao Zedong në vitin 1957. Ajo thotë se mbesa e saj nuk i ngjan një veprimtareje radikale.
“Nuk jam e sigurt se çfarë ka ndodhur. Megjithatë mendoj se ajo ka bërë disa gabime. Se çfarë nuk e di por qeveria dyshonte dhe e arrestoi atë”, thotë zonja Liu.
Duke përdorur pseudonime, studentja Liu shkruante ese në internet ku shprehte simpatinë e saj për përdoruesit e burgosur të Internetit dhe kritikonte vendimin e qeverisë për të mbyllur mijëra kafe Interneti vitin e kaluar.
Arrestimi i zonjës Liu Di ka ngjallur frikën se mund të arrestohet kushdo, veçanërisht në një kohë kur papunësia dhe problemet shoqërore shtyjnë shumë të rinjtë të shprehin shqetësimet e tyre në Internet.
Organizata Amnesty International thotë se të paktën 40 persona ndodhen në burgjet e Kinës për shkelje që kanë të bëjnë me përdorimin e Internetit. Ky numër është i vogël po të krahohet me 68 milion përdoruesit që ka vendi.
Disa ekspertë ligjor thonë se arrestimet e pakta mund të pasqyrojnë vështirësitë që autoritetet kanë për të kontrolluar Internetin.
Qeveria ka krijuar një forcë të posaçme policore për Internetit prej mijëra punonjësish që mbikëqyrin veprimtarinë në Internet. Mirëpo, vëzhguesit thonë se kapja e miliona përdoruesve të Internetit është punë shumë e vështirë për policinë sado e madhe që të jetë ajo.
Një gazetar është përpjekur disa herë të intervistojë zyrtarë të byrosë kineze të sigurimit publik në Pekin por zyrtarët nuk iu përgjigjën ftesës.
Çështja e Liu Di ka nxitur protesta nga veprimtarë të të drejtave të njeriut në mbarë botën. Ata kërkojnë që Kina të lirojë ata që janë burgosur për shkelje që kanë të bëjnë me përdorimin e Internetit.//kk//