Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se trajtimi i miliona njerëzve me sëmundje mendore është aq i dobët saqë përbën shkelje të të drejtave të njeriut. Organizata Botërore e Shëndetësisë, po u bën thirje qeverive të vendeve të ndryshme të mbrojnë personat të prekur nga sëmundje psikike.
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se në të gjithë botën janë rreth 450 milionë njerëz që vuajnë nga çrregullime mendore. Shumë prej tyre, thotë kjo organizatë, nuk u sigurohet kujdesi i nevojshëm dhe rreth 50 për qind e vendeve të botës nuk kanë fare ligje ose kanë ligje të vjetëruara për të sëmurët psikikë. “Shkelja e të drejtave të njeriut fillon me qëndrimin përçmues që mbahet ndaj personave me çrregullime mendore, qëndrim ky që kthehet në diskriminim. Njerëzit diskriminohen kur u mohohen një numër gjërash në jetë, dhe ky diskriminin shndërrohet në shkelje të të drejtave të njeriut kur ata mbyllen në spitale psikiatrike ose mbahen në kushte që e bëjnë jetën të tmerrshme”, thotë drejtori i Departamentit të Sëmundjeve Mendore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Benedetto Saraceno.
Organizata Botërore e Shëndetësisë po mban Forumin e Parë Ndërkombëtar Kualifikues mbi Sëmundjet Psikike, të Drejtat e Njeriut dhe Legjslacionin. Rreth 150 përfaqësues të shëndetësisë dhe vendim-marrës kryesorë nga 70 vende, kryesisht nga ato në zhvillim, po marrin pjesë në forum. Synimi i Konferencës është t’u tregohet pjesëmarrësve sesi ata mund t’i ndihmojnë qeveritë e tyre të hartojnë dhe zbatojnë ligje që mbulojnë sëmundjet mendore.
Silvester Katontoka nga Zambia thotë se përdorimi i drogës për vite të tëra ka shkatërruar jetën e tij familjare dhe përfundimisht çoi në depresion, për të cilin ai u shtrua në spital në vitin 1996.
Zoti Katontoka thotë se kushtet në spital ishin tepër të këqia. Ai tregon se njerëzit mbahen atje thuajse në kushte burgu dhe nuk mjekohen fare. Zoti Katontoka thotë se e shikon kursin e kualifikimit të Organziatës Botërore të Shëndetësisë si rast për të ndihmuar vendin e tij të përmirësojë kushtet për të sëmurët psikikë. “Nëse miratohet dhe zbatohet një ligj i mirë, jam i mendimit, thotë zoti Katontoka, se ai mund të japë ndihmë shumë të madhe për të mbrojtur njerëz si unë, për të na dhënë rastin të japim ndihmesën tonë në shoqëri dhe të bëjmë një jetë të lumtur. Një ligj i tillë mund të na mbrojë nga diskriminimi, nga përçmimi dhe nga veçimi prej shoqërisë”.
Organizata Botërore e Shëndetësisë po harton direktiva që të përdoren nga qeveritë në hartimin e legjislacionit që do të siguronte mbrojtje të mjaftueshme për të sëmurët psikikë.//kk//