Lidhje

Kryetari i Bashkisë së New Yorkut viziton Kosovën - 2003-11-24


Bloomberg: qytetarët e Kosovës do të kenë liri, nëse krijojnë institucionet

Kryetari i Bashkisë së New Yorkut, Michael Bloomberg, bëri thirrje për ndërtimin e një Kosove tolerante e demokratike. Ai i bëri këto komente gjatë vizitës së tij të shkurtër në Prishtinë, ku arriti nga Izraeli, të cilin e kishte vizituar më herët gjatë ditës.

Zoti Bloomberg takoi gjatë orëve të pasditës udhëheqësit më të lartë politikë të Kosovës, ndërsa vuri lule mbi bustin e Nënë Terezës, të cilën e quajti “bijë të shqiptarëve dhe nënë të gjithë botës”.

Gjatë një ceremonie në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, zoti Bloomberg tha se qytetarët e vendit të tij, e çmojnë shumë punën e njerëzve në Kosovë, për ta bërë atë një hapësirë ku do të ketë vend për të gjithë. New Yorku sikurse Kosova, tha ai, ka krijuar një shoqëri ku mbretëron toleranca, bashkëjetesa dhe bashkimi.

“Qytetarët e Kosovës do të kenë liri, nëse krijojnë institucione publike e qytetare që do ta bëjnë këtë tokë të lirë,”- porositi zoti Bloomberg, duke shtuar se të gjithë qytetarët e Shteteve të Bashkuara i çmojnë dëshirat e qytetarëve të Kosovës dhe se SHBA janë këtu për të ndihmuar. Në këtë kuadër, ai tha, mijëra trupa amerikane që veprojnë në kuadër të forcave paqërujatëse dhe pjesëtarë të policisë së Kombeve të Bashkuara, janë në Kosovë për të ndihmuar vendosjen e demokracisë. Kosova është një vend që e njeh shumë mirë vuajtjen por edhe vlerat e demokracisë, -tha zoti Bllomberg- dhe këtë e kanë mësuar edhe amerikanët.

“Terrorizmi dhe gjenocidi mund të godasin cdo vend dhe të gjithë duhet të kundërvihen dhe të sigurohen se njerzit kanë të drejtat që të gjithë i dëshirojnë edhe për veten e tyre. Shtetet e Bashkuara i çmojnë shumë përpjekjet e popullit shqiptar, posaçërisht atij në Kosovë dhe janë krenarë që kanë mundur të ndihmojnë rivendosjen e demokracisë”, tha zoti Bloomberg.

Vizitës së tij në Kosovë, zoti Bloomberg i dha fund me një takim me ushtarët amerikanë në kampin Bondsteel në Kosovën Lindore.

Zyrtarët në Kosovë dënojnë vrasjen e një pjesëtareje të Shërbimit Policor

Zyrtarë të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë në Kosovë dënuan ashpër vrasjen sottë një pjesëtareje të Shërbimit Policor të Kosovës dhe plagosjen e dy të tjerëve në një incident të pasqaruar.

Sebahate Tolaj u vra sot në mëngjes në rajonin e Pejës në Kosovën perëndimore, ndërsa dy kolegë të saj u plagosën kur mbi ta u shti me armë automatike nga një pusi, thanë zyrtarët e policisë së Kombeve të Bashkuara.

Autoritetet thanë se po zhvillojnë hetime në shkallë të gjerë për të zbuluar autorët dhe motivet e mundshme të kësaj vrasjeje. Zyrtarët më të lartë politikë thanë ndërkaq se kjo vrasje është sulm kundër rendit, institucioneve dhe së ardhmes së Kosovës.

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Harri Holkeri citohet të ketë thënë se sulmuesit në këto raste, jo vetëm që po vrasin bashkëqytetarët e tyre, por edhe të ardhmen e Kosovës në përgjithësi.

Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova e ka cilësuar vrasjen e sotme si sulm kriminal kundër institucioneve të Kosovës. Ndërkaq, Kryeministri Bajram Rexhepi ka theksuar së ky akt drejtohet kundër përpjekjeve të institucioneve demokratike dhe bashkësisë ndërkombëtare, për vendosjen e rendit dhe të sigurisë në gjithë territorin e Kosovës.// lk //

XS
SM
MD
LG