Lidhje

Rumsfeld: Natoja do të fuqizojë forcat në Afganistan - 2003-12-01


Ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare të Natos po përpiqen të plotësojnë mungesat në trupa e pajisje të forcës paqeruajtëse në Afganistan në kuadër të një plani për zgjerimin e territorit ku vepron kjo forcë, përtej kryeqytetit Kabul.

Sekretari i Përgjithshëm i Natos, George Robertson, thotë se aleanca është pranë plotësimit të mungesave në helikopterë, struktura zbulimi dhe burime të tjera që i duhen aleancës për ta shtrirë forcën e saj prej 57 mijë trupash në Afganistan përtej kryeqytetit Kabul deri në 6 qytete provincash gjatë muajve të ardhshëm.

Dështimi i vendeve të Natos për të siguruar trupa e pajisje të mjaftueshme për forcën ndërkombëtare ka cënuar disi reputacionin e aleancës dhe sipas zotit Robertson, ka kërcënuar besueshmërinë e saj, ndërkohë që po përpiqet të vërë nën kontroll zona jashtë Kabulit, ku mungon ligji.

Zoti Robertson njoftoi se dje aleatët kishin ofruar 6 helikopterë për forcën ndërkombëtare, e cila tani ka vetëm tre helikopterë. Megjithatë, ai tha se është optimist se mund t’i bindë aleatët të bëjnë më shumë.

”Jam optimist, thotë zoti Robertson, se Natoja jo vetëm që do të jetë në gjendje të plotësojë disa nga mangësitë ekzistuese, por aleanca do të jetë në gjendje të ofrojë burime që i krijojnë mundësi forcës ndërkombëtare në Afganistan të shtrihet jashtë kryeqytetit”.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, thotë se ka besim që Natoja do t’i sigurojë mjetet shtesë që i duhen për të zgjeruar operacionet e saj në Afganistan.

Ministrat evropianë të mbrojtjes u përpoqën ta garantojnë përsëri zotin Rumsfeld se një plan për të cilin kanë rënë dakord gjatë dy ditëve të fundit ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian që ky i fundit të planifikojë operacionet e veta ushtarake, nuk do të sabotojë rolin e Natos.

Zoti Rumsfeld thotë se ka besim që plani evropian as nuk do të konkurrojë me Naton dhe as nuk do të dublikojë aftësitë ushtarake të saj. Edhe zoti Robertson, i cili kishte paralajmëruar po dje se Bashkimi Evropian nuk duhet të përpiqet të rivalizojë me Naton, u tha gazetarëve se beson që Bashkimi nuk do të ndërmarrë ndonjë veprim që do të dobësonte aleancën.

”Të gjithë e bënë krejtësisht të qartë se nuk do të ndërmarrin asnjë veprim që do të sabotonte Naton dhe unë, tha Lordi Robertson, nuk mund të imagjinoj që Kryeministri britanik, Tony Blair, të pranojë diçka që do të dëmtonte integritetin, fuqinë dhe rolin parësor të Natos si organizatë sigurimi e dorës së parë”.

Diplomatët thonë se Britania ka arritur një marrëveshje me Francën dhe Gjermaninë, e cila parashikon ngritjen e komandës planifikuese të Bashkimit Evropian në selinë e Natos në Bruksel. Kjo komandë do të ketë për detyrë organizimin e operacioneve në të cilat Nato nuk do të dëshërojë të përfshihet si e tërë.

//ze//

XS
SM
MD
LG