Lidhje

Autoritetet ruse po forcojnë masat e sigurimit në qendrat e votimit - 2003-12-06


Autoritetet ruse po forcojnë masat e sigurimit në qendrat e votimit pasi një bombë e vënë në një tren shkaktoi vdekjen e 41 pasagjerëve dhe plagosi më shumë se 150 të tjerë në afërsi të kufirit me Çeçeninë.

Presidenti rus Vladimir Putin tha se shpërthimi vdekjeprurës kishte si objekt ndërprerjen e zgjedhjeve parlamentare të së dielës. Shtetasit rusë hedhin nesër votat për kandidatët për deputetë në parlamentin me 450 anëtarë. Partia e zotit Putin, Rusia e Bashkuar, kryesonte në anketat e fundit të opinionit.

Askush nuk ka marrë përgjegjësi për shpërthimin e djeshëm, por zyrtarët rusë fajësojnë guerrilasit çeçenë. Autoritetet ruse thonë se dyshojnë që kryegritësit çeçenë janë autorë të shpërthimit në një tren pasagjerësh në një rajon në afërsi të Çeçenisë.

Kreu i Shërbimeve Federale të Sigurimit tha se tre gra dhe një burrë ishin autorë të sulmit, i cili ndau më dysh një prej vagonave të trenit.

Hetuesit thanë se gjetën trupin e burrit, i cili ende kishte të lidhura në këmbë granatat. Dy prej grave me sa duket u hodhën nga treni menjëherë para shpërthimit, ndërsa e treta u plagos rëndë.

Shpërthimi u krye dy ditë para se Rusia të zhvillojë zgjedhjet e saj parlamentare. Presidenti Vladimir Putin i dënoi shpërthimet si një përpjekje për të destabilizuar vendin në prag të votës.

Rreth 150 veta janë vrarë gjatë këtij viti nga shpërthime, për të cilat fajësohen separatistët çeçenë. Pjesa më e madhe e shpërthimeve kanë ndodhur në afërsi të Çeçenisë ku separatistët janë përleshur me trupat qeveritare gjatë pjesës më të madhe të dekadës së fundit.

Kremlini thotë se konflikti është pjesë e luftës së përgjithshme kundër terrorizmit dhe nuk ka marrë parasysh thirjet e qeverive të huaja për gjetjen e një zgjidhjeje politike.

//ze//

XS
SM
MD
LG