Lidhje

Bush: lufta në Irak po përcjell një mesazh të qartë - 2003-12-21


Pas njoftimit të papritur të ditës së premte, Libia po shpejton të provojë se do të heqë dorë nga përpjekjet për ndërtimin e armëve të shkatërrimit në masë.

Shefi i shkencëtarëve të Libisë u takua të shtunën në Vjenë me kreun e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Muhamed ElBaradei, për të planifikuar inspektimet nga ana e agjencisë së OKB-së.

Udhëheqësi libian, Muamar Gadafi, e ka bërë të qartë se ai kërkon t’i japë fund izolimit 20 vjeçar ndërkombëtar të vendit të tij dhe të rifillojë marrëdhëniet me kompanitë amerikane të naftës. Libia ka disa prej rezervave të naftës më të mirë në botë, por sanksionet tregtare e kanë gjymtuar ekonoiminë e saj.

Tripoli e mori këtë vendim pas 9 muaj bisedimesh të fshehta midis kolonel Gadafit, zyrtarëve amerikanë e britanikë dhe punonjësve të zbulimit që vizituan uzinat e fshehta të armëve.

Presidenti Bush, kryeministri britanik, Tony Blair, si edhe vetë kolonel Gadafi e bënë të ditur të premtën vendimin libian. Shumë vende vlarësuan lartë Libinë për marrjen e këtij vendimi, si edhe Shtetet e Bashkuara e Britaninë që arritën t’i jepnin fund kërcënimit libian në mënyrë paqesore.

Libia thotë se e mori vendimin vullnetarisht. Presidenti Bush thotë se lufta në Irak përcjell një mesazh të qartë. Djali i kolonel Gadafit, Sayf al-Islam al-Gadafi, tha të shtunën në Tripoli se kapja më 13 dhjetor e diktatorit të përmbysur irakian, Sadam Husein, nuk kishte ndikuar arritjen e vendimit libian.

Sayf Gadadi tha se Libia ka zhvilluar armë të shkatërrimit në masë për të ndihmuar kauzën e përgjithshme arabe në një konfrontim të pritur me Perëndimin. Mirëpo, ai tha se fakti që arabët kanë komplotuar dhe punuar vazhdimisht kundër Irakut dhe njëri tjetrit, e bindi Libinë se nuk kishte asnjë arsye të vazhdonte të vuante për shkak të sanksioneve dhe të harxhonte burimet e saj. //xh//

XS
SM
MD
LG