Lidhje

SHBA dhe vende të Amerikës Qendrore nënshkruajnë një marrëveshje për tregti të lirë - 2003-12-26


Shtetet e Bashkuara dhe katër vende të Amerikës Qendrore kanë arritur një marrëveshje për tregti të lirë. Marrëveshja e njohur si Cafta, ka për synim të zhdukë pengesat doganore që bllokojnë tregtinë midis Shteteve të Bashkuara dhe Amerikës Qendrore. Ajo do të eliminojë taksat doganore, do të hapë tregjet dhe do të nxitë investime, do t’i japë shtytje rritjes ekonomike dhe do të shtojë mundësitë në Salvador, Guatamala, Honduras dhe Nikaragua. Negociatat vazhdojnë edhe me Kosta Rikën.

Cafta do të hapë tregjet për shërbime në fusha të ndryshme, përfshirë energjinë, turizmin, transportin, inxhinierinë, financat dhe argëtimin. Ajo do të çojë përpara edhe zhvillimin politik të Amerikës Qendrore. “Cafta, ka thënë përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara për tregëtinë, Robert, Zoellick, do të nxitë zhvillimin e elementeve jetike të një shoqërie të lirë, siç janë respekti për shtetin ligjor, të drejtat e pronësisë private, konkurrenca dhe institucionet e përgjegjshme.”

Cafta është pjesë e rëndësishme e përpjekjeve rajonale e globale të Shteteve të Bashkuara për të nxitur tregtinë e lirë. “Tregtia e lirë, ka thënë Presidenti Bush, nuk është vetëm mundësi ekonomike, por edhe domosdoshmëri morale.” “Një botë që zhvillon tregëti në liri, do të bëhet më e begatë dhe më e sigurt. Për vendet në zhvillim, tregtia e lirë e lidhur me reformat ekonomike ka ndihmuar në daljen e qindra miliona njerëzve nga kthetrat e varfërisë. Rritja e lirisë ekonomike dhe e pronësisë në vendet në zhvillim krijojnë prirjet e lirisë dhe trysninë për reforma demokratike e politike. Integrimi ekonomik nëpërmjet tregtisë mund t’i japë shtytje edhe bashkëpunimit politik duke nxitur paqen midis kombeve. Me zgjerimin e tregtisë së lirë në gjithë botën, ka thënë Presidenti Bush, zgjerohet edhe mbretëria e lirisë njerëzore”.

Ministri i Ekonomisë i Salvadorit, Miguel Lacayo, pajtohet me këtë vlerësim. Ai thotë se Marrëveshja për Tregti të Lirë midis Shteteve të Bashkuara dhe Amerikës Qendrore është simbol i zhvillimit, demokracisë dhe i përpjekjeve për ruajtjen e një Hemisfere të fortë Perëndimore. //az//

XS
SM
MD
LG