Administrata e presidentit Bush po kritikohet përsëri lidhur me çështjen në se pretendimi i saj se Iraku kishte armë të shkatërrimit në masë mbështetej në prova konkrete. Një grup privat ekspertësh amerikanë bëri thirrje për krijimin e një komisioni të pavarur për të hetuar këtë çështje. Por administrata e presidentit Bush vazhdon të mbrojë pretendimet e saj të para luftës, të cilat ishin baza e ndërhyrjes ushtarake në Irak.
Organizata Endowment për Paqe Ndërkombëtare ngriti akuzën se në ditët para fillimit të luftës, administrata e presidentit Bush keqintepretoi kërcënimin e Irakut, duke thënë se ai vend kishte armë të shkatërrimit në masë dhe ishte gati t’i përdorte ato.
Jessica Mathews, presidente e kësaj organizate kërkimore me seli në Washington, përmendi fjalimin që Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell mbajti shkurtin e vitit të kaluar para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i cili u transmetua nga televizioni në gjithë botën.
“Gjatë atij fjalimi ai theksoi pa asnjë rezervë sigurinë e administratës, duke thënë se çdo deklaratë që bënte atë ditë ishte e mbështetur nga burime të sakta. Ai tha se nuk po fliste për vlerësime, por për fakte dhe konkluzione të bazuara në prova konkrete. Megjithatë, tani ne e dimë se shumë prej vlerësimeve të bëra gjatë atij fjalimi nuk janë të vërteta.”
Por dje gjatë një konference shtypi, Sekretari i Shtetit Powell mbrojti provat, për të cilat foli vitin e kaluar, duke thënë se Iraku kishte armë të rrezikshme dhe se ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara në Irak për të përmbysuar nga pushteti Sadam Huseinin ishte e justifikuar.
“Isha plotësisht në dijeni të rrethanave nën të cilat dhashë fjalimin para Kombeve të Bashkuara më 5 shkurt të vitit të kaluar. Në atë fjalim nuk u përmend asgjë që ne nuk menduam se ishte e saktë dhe e bazuar në disa burime.”
Madje Sekretari Powell nuk ka ndryshuar qëndrimin e tij se Iraku, i cili kishte përdorur armë të ndaluara kundër popullit të vet si dhe gjatë luftës me Iranin në vitet 1980-të, synonte t’i përdorte ato përsëri në se aleatët nuk do të kishin vepruar.
//ze//