Lidhje

Shkup: autoritetet maqedonase të mbrojtjes angazhohen për reforma të thella në ushtrinë e vendit - 2004-01-09


Ministria maqedonase e Mbrojtjes paraqiti planin operues gjashtëmujor për reformat në sferën e mbrojtjes. Ndër pikat kryesore të planit janë modernizimi i pajisjeve dhe armatimit të ushtrisë së vendit, heqja dorë nga teknika e vjetruar, përfaqësimi i drejtë i bashëksive etnike në ushtri, realizimi i strategjisë për sigurimin integrues të kufijve.

Ministria thekson se ka shënuar suksese gjatë vitit 2003 në planin e përfaqësimit të pjesëtarëve të bashkësive etnike dhe se këtë plan veprimi, siç e ka quajtur, do ta vazhdojë edhe sivjet me pranimin e dyqind ushtarave profesionistë, 28 oficerë dhe 90 nënoficerë, të komuniteteve jomaqedonase, kryesisht shqiptarë.

Ndërkohë, drejtues të partisë shqiptare në qeveri Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se është shumëfishuar numri i oficerëve shqiptarë dhe se rreth pesëqind nënoficerë shqiptarë së shpejti do të gjejnë vend në armatën e Maqedonisë.

Shtimi i numrit të shqiptarëve në forcat e sigurimit del si detyrim nga Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001 e cila i dha fund konfliktit të armatosur në vend.

Këtë vit është shtuar buxheti për katërmbëdhjetë përqind në krahasim me vitin e kaluar, për modernizimin e ushtrisë dhe kështu për çdo vit shteti do të rrisë buxhetin për ushtrinë.

Projekti për modernizimin, siç njoftuan sot zyrtarë maqedonas të Ministrisë së Mbrojtjes, fillon me dy helikopterët Mi-17 dhe dy Mi-24.

Ndërkohë, ministria ka filluar heqjen nga pëdorimi të tankseve T-55 dhe shumica e tyre do të shkatërrohen. Ggjithnjë, në bazë të standardeve të Natos, ushtria e Maqedonisë do të shkëmbejë aeroplanët luftarakë të prodhimit rus Suhoi 25 me një aeroplan transporti dhe helikopterë.

Maqedonia shpreson që Takimi i Nivelit të lartë në Stamboll të Turqisë të bëjë politikën e ‘dyerve të hapura’ dhe t’ia shtojë asaj mundësinë e pranimit në Aleancën Veriatlantike të Natos. //ss//

XS
SM
MD
LG