Kanë vazhduar gjatë gjithë ditës së sotme kërkimet në ujërat e bregut të Vlorës për 7 persona të cilët dyshohet se kanë qenë në gomonen e tragjedisë së të premtes së kaluar në të cilën humbën jetën mbi 20 persona dhe vetëm 11 mbijetuan.. Sinjalizimi për ta ka ardhur nga familjarët e tyre.
Mbi 10 motovedeta të ushtrisë shqiptare dhe forcave italiane kanë nisur lundrimin që në orët e para të mëngjesit. Për herë të parë në operacionet e kërkimit janë përfshirë edhe helikopterë të ushtrisë. Në njërin prej tyre ishin edhe familjarë të viktimave të cilët hodhën lule në det në vendin ku mendohet se ka ndodhur tragjedia. Kërkimet e deritanishme nuk kanë sjellë asnjë rezultat.
Në tokë policia po vazhdon ndjekjen e 7 personave, pronarë të gomones dhe ndërmjetës. Deri tani janë vënë nën arrest pervec dy skafistëve edhe funskionarë policie, të portit të Vlorës dhe një nga ndërmjetësit, ndërsa prokuroria po heton ndaj përgjegjësisë së shefit të zyrës së antiterrorit në Shkodër dhe atij të qarkullimit të Vlorës, familjarë të njërit prej drejtuesve të gomones.
Kontrollet janë forcuar në të gjithë vendin. Në Durrës policia ka bllokuar 2 gomone dhe dy skafe të fshehur në fshatrat afër bregut të detit, ndërsa në portin e këtij qyteti vetëm gjatë javës së fundit janë ndaluar mbi 80 persona që janë munduar të nisen drejt Italisë duke u fshehur në mjete transporti apo duke përdorur dokumenta të fallsifikuara.
Kryeministri Fatos Nano, një ditë pas kthimit të tij në Shqipëri mblodhi sot drejtuesit e institucioneve kryesore të Drejtësisë dhe Sigurisë në vend. Ai deklaroi se ngjarja e Vlorës kërkon një kundërpërgjigje të rreptë: “Në vitin 2004 që sapo kemi hyrë, objektivat strategjikë të qeverisë që unë drejtoj janë: Mbyllja përfundimtare e çdo shtegu për kalim të paligjshëm të kufijve, qoftë kjo e organizuar si trafik, qoftë edhe raste sporadike. Bashkë më këtë lloj trafiku ne synojmë mbylljen e kanaleve të trafikut të drogave, sidomos atyre të rënda. Njëkohësisht ky vit do të jetë viti i goditjes më të fortë ndonjëherë të krimit të organizuar në Shqipëri”.
Kryeministri Nano njoftoi për krijimin e një structure të re të policisë shqiptare. Kjo strukturë antitrafik shpjegoi kreu i qeverisë do të ketë si objektivparandalimin e trafiqeve kapjen dhe evidentimin e trafikantëve dhe dokumentimin e cdo elementi kriminal. Kreu i qeverisë deklaroi se ka ardhur koha për hartimin dhe miratimin e një ligji antimafie, që do të synojë jo vetëm goditjen e krimit të organizuar por edhe të pasurive të vëna nëpërmjet aktiviteteve të paligjshme.
Kryeministri Nano dhe qeveria e tij janë cilësuar nga opozita si fajtorë të tragjedisë së Vlorës. 29 deputetë kanë depozituar sot kërkesën për thirrjen e mënjehershme të parlamentit dhe një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit.
Sipas opozitës policia neglizhoi ngritjen e grupeve të shpëtimit dhe se qeveria tentoi të mbulonte ngjarjen. Kryeministri thuhet në kërkesën e opozitës është I padenjë dhe prlmenti duhet ta deklarojë si të tillë. Lidhur me tragjedinë e tre ditëve më parë, edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë James Jeffrey shprehu sot ngushëllimet në një takim me presidentin Alfred Mosiu.
//rd//