Lidhje

Programi i ri amerikan i hapësirës - 2004-01-12


Presidenti Bush pritet të shpallë këtë javë një program të ri të hapësirës. Zyrtarët thonë se presidenti synon me këtë plan dërgimin përsëri, të amerikanëve në Hënë dhe më vonë, në planetin Mars. Plani i presidentit Bush është pritur me gëzim nga njerëzit e industrisë së hapësirës ndërkohë që disa anëtarë të Kongresit kanë shtrojnë pyetjen se sa mund të kushtojë ky program.

Presidenti Bush do ta bëjë të njohur vizionin e tij për zgjerimin e programit të hapësirës të mërkurën, me shpresën se kjo do ta fuqizojë më tej këtë program.

Plani i ri për agjencinë e hapësirës, NASA, sipas njoftimeve, përfshin dërgimin para fundit të kësaj dekade, të misioneve me njerëz në Hënë, në përgatitje për ngritjen e një bazë të përhershme kërkimore atje. Prej andej, astronautët mund të përgatiten për një mision më ambicioz, udhëtimin drejt Marsit deri në vitin 2020.

Ish-astronauti Jim Lovell ishte pjesëtar i ekipit të misionit të parë Apollo i cili hyri në orbitën e Hënës. "Shkuarja në Mars nuk ka të bëjë thjesht me destinacionin, ajo ka të bëjë me të gjitha përgatijet për të arritur deri atje, me teknikat që do të përdoren, bashkëpunimin dhe teknologjinë, e cila duhet zhvilluar për realizimin e një projekti të tillë", -thotë astronauti Lovell.

Humbja e anijes së hapësirës Columbia vitin e kaluar shërbeu si një katalizator për diskutimet lidhur me hapin e ardhshëm të Nasës. Komisioni i cili zhvilloi hetime për tragjedinë e Kolumbias bëri thirrje për një vizion të qartë të eksplorimit të hapësirës.

Zyrtarët e administratës thonë se plani i presidentit Bush parashikon heqjen nga përdorimi të anijeve për vajtje-ardhje në hapësirë, pas ndërtimit të plotë të Stacionit Ndërkombëtar Orbital.

Brian Chase, Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës Kombëtare të Hapësirës, thotë se agjencia e hapësirës do të ndërtojë pastaj një anije të re me shumë funksione. "Rezultati do të jetë një numër mjetesh lëshuese me një përdorim të cilat do të dërgojnë si njerëz edhe ngarkesë. Në vend të një misioni të vetëm anijesh për vajtje-ardhje, ne mund të shohim dy, tre, apo katër mjete lëshuese me një përdorim, që do të dërgojnë në stacionin e hapësirës të njëjtën ngarkesë, e cila do të montohet pastaj në hapësirë", - thotë zoti Chase.

Ky propozim ambicioz i presidentit mund të jetë sa politik aq sa edhe shkencor. Me afrimin e fillimit të fushatës së tij presidenciale, ndihmësit e presidentit Bush thonë se ai po përpiqet të gjejë një mënyrë për bashkimin emocionalish të amerikanëve, rreth një ”qëllimi të madh, të përbashkët, kombëtar ”.

Presidenti Bush, i entuziazmuar nga mbërritja me sukses e sondës në Mars javën e kaluar, mendon se ka ardhur koha që Shtetet e Bashkuara të udhëheqin përsëri në eksplorimin e hapësirës.

Megjithatë, për shkak të kostos së lartë të udhëtimit në Mars, rreth një trilion dollarë si dhe të defiçiteve shqetësuese buxhetore, anëtarët e Kongresit po shtrojnë pyetjen nëse mund ta përballojë apo jo vendi një nismë të përmasave të tilla.

//rd//

XS
SM
MD
LG