Lidhje

Misioni në Mars - 2004-01-14


Ulja me sukses e një roboti në Mars, e ka bërë botën të përfshihet nga magjia e Planetit të Kuq. Mund të thuhet se është momenti më i përshtatshëm për të çuar njerëz në Mars. Ka vetëm një problem: nuk është gjetur ende një rrugë e realizueshme për të çuar njerëz atje.

Çuarja e njerëzve në Mars ka qenë pak a shumë vetëm temë filmash, ose e disa studimeve ekskluzive të NASA-s në jug të shtetit Utah. Por javën e kaluar, me fotografitë e mrekullueshme të robotit Spirit, kjo ide u duk më pranë realitetit.

“Synimi është që para se të përfundojë kjo dekadë, njeriu të shkelë në Hënë dhe të kthehet përsëri shëndoshë e mirë në Tokë”, tha presidenti Kennedy para se të fillonin 6 zbritje të suksesshme në Hënë.

Sot Presidenti Bush pritet të deklarojë planet për t’u kthyer në Hënë deri në vitin 2013 dhe më pas në Mars. “Ideja e një udhëtimi të mundshëm në Mars dhe e ndërtimit të një stacioni të përhershëm të hapësirës, që pritet t’i deklarojë presidenti, mendoj se është e mrekullueshme”, thotë ish astronauti James Lovell.

Një mjet i ri hapësinor me shumë funksione, i quajtur anije eksplorimi me ekuipazh do të çojë astronaut atje. Do të jetë udhëtimi i parë në Hënë që nga viti 1972 dhe po aty do të vendoset një stacion i përhershëm hapësire.

Stacioni në hënë do t’i ndihmonte astronautët për një fluturim në mars deri në vitin 2020. “Për të shkuar në Mars, nuk bëhet fjalë për fat, por për udhëtimin deri atje, për të përsosur teknikat, teknologjinë që duhet të zhvilluar për një projekt të tillë”, thotë zoti Lovell.

“Do të provojmë disa teknologji të reja që shpresojmë që një ditë të përdoren në Mars: sisteme të reja robotike, kostume të përshtatshme për hapësirën”, thotë Pascal Li i Nasës.

Kështu siç mund të shihet, do të ketë shumë më tepër diskutime para se realizohet një gjë e tillë. Përveç vështirësive teknologjike, duhet gjithashtu që të krijohen garanci për jetën e astronautëve.

Po ashtu, qeveria amerikane do të kishte nevojë për fonde të mëdha shtesë, miliarda dollarë.

//rd//

XS
SM
MD
LG