Tragjedia e të premtes së shkuar në të cilën humbën jetën mbi 21 persona dhe 7 të tjerë konsiderohen të humbur do të hetohet nga një komision i posaçëm i parlamentit shqiptar. Vendimi pritet të merret së shpejti pasi sot të dy krahët e politikës janë deklaruar në favor të ngritjes së tij. Partia socialite dhe drejtuesit që përbëjnë koalicionin qeverisës e morrën këtë vendim gjatë një takimi me kryeministrin Fatos Nano.
Më pas ngritja e komisionit hetimor u miratua edhe nga deputetët socialistë në mbledhjen e tyre pasdite. Nga ana e saj edhe opozita njoftoi po sot për nevojën e komisionit parlamentar. Opozita u bë nismëtare edhe e thirrjes së një seance urgjente parlamentare e cila do të zhvillohet nesër ku do të votohet edhe për një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit Fatos Nano. Sipas Partisë Demokratike qeveria dhe kryeministri janë përgjegjës për tragjedinë e ndodhur. Demokratët akuzojnë se ngjarja e së premtes është neglizhuar si nga strukturat e qeverisë ashtu edhe nga ato të policisë. Madje sipas opozitës kryeministri është përpjekur të mbulojë gjurmët e krimit.
Por partitë e koalicionit që drejton vendin i bënë thirrje sot opozitës të mbështesë luftën e shtetit kundër krimit duke analizuar me objektivitet shkaqet e vërteta dhe jo duke abuzuar me ndjenjat e familjarëve të viktimave për të nxjerrë përfitime politike, thuhet në një deklaratë të firmosur nga drejtuesit e gjashtë partive që bëjnë pjesë në qeveri. Në këtë deklaratë i jepet mbështetje kabinetit të kryeministrit Fatos Nano për të thelluar luftën kundër trafiqeve. Ngjarja e Vlorës thuhet në deklaratë shton vendosmërinë për të goditur pa mëshirë fajtorët, për të parandaluar që krimi i organizuar të shkaktojë viktima të tjera dhe për të mbështetur politikisht marrjen e të gjitha masave ligjore që garantojnë fitoren e shtetit mbi krimin.
Në Vlorë nën drejtimin e drejtorit të përgjithshëm të policisë kriminale ka nisur një operacion i gjerë i koduar Perdja e Hekurt. Vetëm sot janë sekuestruar dy gomone, njëra 11 metra e gjatë, tjetra 5 si dhe është sekuestruar një hotel në Orikum, pronë e vëllezërve Shyti të akuzuar nga drejtësia si anëtarë të organizatës Hakmarrja për Drejtësi. Operacioni ka nisur menjëherë pas takimit që ministri i rendit Igli Toska zhvilloi dje në Vlorë i cili u shoqërua edhe me një valë shkarkimesh. Masat ndëshkimore përfshinë 25 oficerë të lartë dhe të mesëm dhe një numër policësh.
Edhe gjatë ditës së sotme kanë vazhduar kërkimet për trupat e 7 personave që figurojnë të humbur.