Lidhje

Paul Bremer takohet me Presidentin Bush - 2004-01-16


Administratari i lartë amerikan në Irak, Paul Bremer, u takua të premten në Uashington me Presidentin Bush dhe me këshilltarët e tij për të diskutuar planet për t’i kthyer sovranitetin Irakut.

Ky takim pason demonstratën e disa dhjetra mijra myslimanëve irakianë shiitë në qytetin jugor Basra, të cilët kërkonin zgjedhje të drejtpërdrajta mbarëkombëtare për të zgjedhur qeverinë para fundit të qershorit, kur pushteti t’u transferohet irakianëve. Demonstruesit thërrisnin “Jo Amerikës”, dhe mbanin në duar fotografi të Ajatollahut të Madh Ali al-Sistani, i cili ka kundërshtuar planet e koalicionit për shtyrjen e zgjedhjeve.

Plani parashikon që asambleja kombëtare të zgjidhet nga këshillat e votuesve të ngritura në gjithë vendin, dhe kjo asamble do të emëronte një qeveri kalimtare para se pushteti t’u transferohej irakianëve, që do të pasohej me mbajtjen e zgjedhjeve vitin e ardhshëm. Zyrtarët amerikanë thonë se shqetësimet për sigurimin dhe mungesa e listave të regjistrimit të votuesve, janë faktorë që e bëjnë të pamundur mbajtjen e zgjedhjeve të drejt për drejta deri në qershor. Pritet që zoti Bremer ta rishikojë planin dhe shqetësimet e irakianëve me Presidentin Bush sot.

Të hënën, zoti Bremer dhe presidenti i tanishëm i Këshillit Qeverisës të Irakut të emëruar nga Shtetet e Bashkuara, Adnan Pachachi, do të takohen me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan në New York, ndërkohë që OKB-ja shqyrton rolin që duhet të luajë në Irak.//iç//

XS
SM
MD
LG