Lidhje

Shkencëtarët ndajnë ngazëllimin me nxënës shkolle - 2004-01-18


Shkencëtarët në Kaliforni po ngazëllehen nga mbërritja e pandërprerë e imazheve dhe e të dhënave që roboti Spirit po dërgon nga Marsi. Dy nxënës të shkollës së mesme po marrin pjesë në këtë ngazëllim në gjirin e ekipit që po eksploron planetin Mars.

16 të rinj nga 12 vende bëjnë pjesë në këtë ekip në Laboratorin Jet Propulsion të Nasa-s në Kaliforni. Studentët vijnë dy e nga dy në këtë laborator dhe qendrojnë një javë.

Rafael Morozowski është 16-vjeçar nga Brazili dhe thotë se ai dhe partnerja e tij Courtney Dressing ndodheshin në dhomën e vlerësimeve bashkë me shkencëtarë të Nasas, kur mbërriëtn pamjet e para të dërguara nga roboti. Ai ishte shtangur nga pmajet panoramike që kishin udhëtuar 170 milionë kilometra për të ardhur në Tokë. ”Ishin me të vërtetë mahnitëse, pasi ishin pamje që po vinin nga Marsi dhe jo diçka që merret nga interneti”.

16-vjeçarja Courtney Dressing nga Aleksandria e Virginias, thotë se studentët shkëmbejnë ide me shkencëtarët e Nasas, të cilët tregohen të gatshëm t’u përgjigjen pyetjeve të tyre. ”Është e mrekullueshme. Kemi marrë pjesë në mbledhjet shkencore të mëngjesit dhe dëgjonim pikëpamjet e shkencëtarëve mbi shkëmbinjtë dhe dheun marsian”.

Ky projekt i nxënësve është financuar nga Shoqata Planetare, një organizatë private, dhe Kompania Lego, e cila merret me prodhimin e lojrave për fëmijë.

Nxënësit kanë zyrat e tyre dhe marrin pjesë në mbledhjet e shkencëtarëve. Por ata nuk kanë kohë të mjaftueshme për gjumë e pushim, pasi u duhet të punojnë sipas kohës së Marsit. Ata punojnë vonë, kur në Kaliforni ka kaluar mesnata dhe në Mars dielli është mbi kraterin Gusev ku është ulur roboti.

Edhe pse të privuar disi nga gjumi, Bruce Betts i Shoqatës Planetare thotë se këta nxënës kanë rastin e rallë të krijojnë një ide konkrete mbi procesin shkencor. ”Është hera e parë që studentë nga vende të ndryshme, të përzgjedhur përmes një konkursi, marrin pjesë në operacionet e një misioni planetar”.

Nxënësit pjesëmarrës janë zgjedhur nga 500 konkurrentë. Sejcili prej tyre ka shkruar nga një ese ku sugjeronin detyra kërkimore për robotë që ulen në planete. Më pas, finalistët janë intervistuar me telelon. Rafael Morozowski thotë se diçka e ka çuditur atë. Ai thotë se dhoma e vlerësimeve në Nasa është më e zhurmshme dhe më pak e organizuar nga sa mendonte. ”Konkretisht në dhomë është rrëmujë. Shumë njerëz flasin e pijnë, hanë apo bëjnë shak atje. Kurrë nuk e mendoja se do të ishte e tillë”.

Por shkencëtari Bruce Betts thotë se shkencëtarët dhe inxhinierët kanë një objektiv serioz, teksa kërkojnë për shenja uji që mund të ketë ekzistuar dikur në sipërfaqen e Marsit. Uji mund të ketë qenë baza e ndonjë forme jete.

Ekipet e nxënësve në laboratorin e Nasas do të vazhdojnë të ndërrojnë njëri-tjetrin deri nga fundi i shkurtit. Një moment tjetër i rëndësishëm për misionin do të jetë më 24 janar sipas kohës së Kalifornisë, kur anija që ka në bord robotin Opportunity të ulet në anën tjetër të Marsit.//xh//

XS
SM
MD
LG