Lidhje

Personeli i ri i sigurimit të Irakut po stërvitet që të respektojë të drejtat e njeriut - 2004-01-19


Kur koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara çliroi Irakun, nëpër rrugët e atij vendi nuk kishte policë irakianë. Sot, forca policore irakiane ka më shumë se 60 mijë anëtarë. Dhe ndryshe nga praktikat brutale të ish regjimit baathist, personeli i ri i sigurimit të Irakut po stërvitet që të respektojë të drejtat e njeriut.

Sipas zyrtarëve amerikanë, 92 vrasje u kryen në Bagdad në muajin korrik. Deri në tetor, ky numër u ul në 24. Një anketë e opinionit publik e kryer këtë muaj tregon se populli irakian ka besim në shërbimin policor të vendit më shumë se sa në çdo institucion tjetër sigurimi. 86 përqind e irakianëve që morën pjesë në anketë thanë se do të dëshironin të shikonin më shumë policë irakianë në lagjet e tyre.

Gjithashtu po stërvitet një ushtri e re kombëtare irakiane. Daniel Senor, këshilltar i lartë i Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit, thotë se forcat e sigurimit, përfshirë edhe ushtrinë,përbëhen nga grupe të shumëllojshme etnike dhe fetare të Irakut.

“Ne kemi diplomuar 2 batalione të ushtrisë së re irakiane. Batalioni i tretë i ushtrisë së re irakiane është në plan të diplomohet më 24 janar. Batalioni i katërt tashmë është rekrutuar. Deri në muajin shtator, ne kemi në plan të diplomojmë 27 batalione.”

Korpusi irakian i mbrojtjes civile po punon me forcat e koalicionit për të eliminuar mbeturinat e regjimit të vjetër dhe terroristët e huaj, të cilët kanë hyrë në Irak. Garda kufitare irakiane është dislokuar dhe korpusi mbrojtës i shërbimit diplomatik po stërvitet. “Është shumë e rëndësishme, tha zoti Senor, që sigurimi i Irakut të mbrohet nga irakianët.”

“Me kënaqësi them se sot ka më shumë irakianë se sa amerikanë, që garantojnë sigurinë e Irakut. Kjo është një përparësi dhe ndikon tek çdo gjë që bëjmë. Ndikon në aftësinë tonë për të bërë të mundur ringjalljen ekonomike të vendit. Ndikon në aftësinë tonë për të bashkëpunuar me Këshillin Qeverisës për të kthyer një ndjenjë nornmaliteti. Siguria është vendimtare.”

Siç i tha një gazetatari, Ameen Kazal Kalif, oficer i policisë irakiane, “Ne nuk do të veprojmë me përtesë në kryerjen e detyrës tonë.”

//ze//

XS
SM
MD
LG