Lidhje

SHBA: Demokratët fillojnë procesin e zgjedhjes së kandidatit për president - 2004-01-19


Sonte demokratët fillojnë zyrtarisht në shtetit Iowa procesin e zgjedhjes së kandidatit presidencial të partisë në një garë për të cilën anketat e opinionit tregojnë se është shumë e fortë.

Prova e parë e rëndësishme në kuadër të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2004 është sonte kur rreth 100 mijë demokratë pritet të mblidhen në shkolla dhe në qendra komunitetesh në mbarë shtetin Iowa për të shpallur të preferuarin e tyre mes 8 kandidatëve demokratë.

Edhe votuesit republikanë do të mblidhen, por presidenti Bush nuk ka rivalë në garën për të fituar emërimin e partisë.

Anketat e fundit të opinionit tregojunë se gara mes demokratëve në Iowa është vështirë të parashikohet. Katër kandidatë gëzojnë përkrahje thuajse të barabartë, përfshirë edhe senatorin nga shteti Masaçusets, John Kerry.

“Në se më mbështesni në zgjedhjet e 2 nëntorit, ne do ta çojmë George Bushin në Texas dhe ne do të themi “Misioni është përfunduar. Le të bëjmë detyrën tonë,” tha senatori Kerry.

Edhe senatori nga Karolina e Veriut, John Edwards, e ka shtuar mbështetjen gjatë ditëve të fundit në fushatën, që ka bërë në Iowa. Ai mblodhi përkrahësit e tij në Davenport të këtij shteti.

“Në këtë fushatë, ne do të rivendosim pushtetin e demokracisë. Ne së bashku mund ta bëjmë këtë dhe do ta bëjmë.”

Ish guvernatori i shtetit Vermont, Howard Dean, po bën ç’është e mundur që të ruajë mbështetjen më të madhe mes kandidatëve demokratë.

Gjatë një vizite dje në Georgia, ai u vlerësua nga ish presidenti Jimmy Carter për opozitën e tij të hershme ndaj luftës në Irak.

Më pas, zoti Dean u kthye në Iowa për t’u bërë thirrje përkrahësve të tij që të marrin pjesë sonte në zgjedhje.

“Ju keni fuqinë që t’ia ktheni përsëri Shtëpinë e Bardhë popullit amerikan dhe kjo është pikërisht ajo që do të bëjmë. Ju faleminderit.”

Kandidati i katërt demokrat gati në krye të anketave të opinionit është anëtari i Kongresit nga shteti Misuri, Richard Gephardt. Ai shpreson të sigurojë ndihmën e sindikatave punëtore për të fituar sonte në Iowa.

“Unë për vete nuk dua t’ia di në se bëhem president. Unë nuk kam nevojë për këtë detyrë e as për titullin, por Amerika ka nevojë për një udhëheqës, që sjell përvojën e popullit amerikan dhe që mund ta bëjë këtë detyrë.”

Ekspertët politikë thonë se senatorët Kerry dhe Edwards duket se e kanë shtuar më shumë mbështetjen në ditët e fundit. Por ata pranojnë gjithashtu se kandidatët Dean dhe Gephardt janë më të organizuar që të sigurojnë pjesëmarrjen sonte në votime të përkrahësve të tyre.

Pas zgjedhjeve në Iowa, fushata vazhdon në shtetin New Hempshire, ku, sipas anketave të opinionit publik, gjenerali në pension, Wesley Clark, e ka shtuar mbështetjen. Gjenerali Clark dhe senatori Joseph Lieberman nga Kenetikati nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e sotme në Iowa dhe po i përqëndrojnë të gjitha energjitë në zgjedhjet paraprake në New Hempshire, të cilat zhvillohen më 27 janar.

Dy kandidatët e tjerë demokratë janë anëtari i kongresit nga shteti Ohio, Dennis Kucinich, dhe veprimtari i të drejtave civile, Al Sharpton.

XS
SM
MD
LG