Lidhje

Dy kontinentet amerikane drejt marrëveshjes së tregëtisë së lirë - 2004-01-19


Udhëheqës të Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe të më shumë se 30 vendeve amerikano-latine po ecin drejt arritjes së një marrëveshjeje të tregëtisë së lirë vitin që vjen. Marrëveshja e tregëtisë së lirë në të dy kontinentet amerikane do të mbulonte një prodhim të përgjithshëm prej 12 trilionë dollarësh dhe një treg prej më shumë se 750 milionë njerëzish. Synimi është nxitja e integrimit ekonomik në mbarë hemisferën perëndimore duke hequr pengesat për investimet dhe tregëtinë.

Siç u tha Presidenti George Bush delegatëve të takimit të nivelit të lartë në Monterrey të Meksikës, ”shumë vende e kanë tashmë të qartë vlerën e tregëtisë së lirë”.

Meksika ka nënshkruar marrëveshjen e Tregëtisë së Lirë në Amerikën e Veriut me Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë në vitin 1992. Dhe që nga 1993-shi, eksportet meksikane në Shtetet e Bashkuara janë trefishuar. Zoti Bush tha se në pikpamjen afatgjatë, tregëtia është një rrugë e sigurtë drejt begatisë. ”Hapja e tregut tonë është një nga faktorët themelorë për rritjen ekonomike në rajon dhe provë e besimit të Shteteve të Bashkuara në përfitimet reciproke që vijnë nga tregëtia. Vitin e kaluar, rreth 83 për qind e eksporteve amerikano-latine në Shtetet e Bashkuara, mallra me vlerë rreth 176 miliardë dollarë, hynë të pataksuara nga doganat. Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara ndaj tregëtisë së lirë e të ndershme në hemisferën perëndimore”.

Delegatët e takimit të nivelit të lartë ripohuan gjithashtu se demokracia dhe shteti juridik janë themele të rëndësishme për përparim. ”Demokracia, tha Presidenti Bush, është e vetmja formë legjitime qeverisjeje në këtë hemisferë. Popujt e kontineteve amerikane kanë për detyrë që ta nxisin dhe ta mbrojnë atë”. ”Uniteti ynë dhe mbështetja jonë për institucionet demokratike, proceset kushtetutore dhe liritë-bazë është burim shprese e force për ata që luftojnë për të mbrojtur të drejtat e dhuruara nga Zoti, qoftë në Venezuelë, Haiti apo Bolivi”.

”Përmes shembullit tonë demokratik, tha Presidenti Bush, ne duhet të vazhdojmë të jemi me njerëzit e guximshëm të Kubës, të cilët prej gati gjysëm-shekulli kanë vuajtur nga tirania e shtypja. Diktatura nuk ka vend në kontinentin amerikan”. //az//

XS
SM
MD
LG