Lidhje

Ekspertët: Angazhimi amerikan në rajonin e Ballkanit nuk ka përfunduar - 2004-01-21


Dy ekspertë të marrëdhënieve euroatlantike, komentuan të mërkurën në një intervistë për Zërin e Amerikës, pjesën e fjalimit të Presidentit Bush për politikën e jashtme. Daniel Hamilton studiues në Universitetin John Hopkins dhe John Lampe i Qendrës për studime ndërkombëtare Woodrow Wilson, thanë se politika e jashtme amerikane këtë vit do të përqendrohet tek Iraku dhe lufta kundër terrorizmit. Por theksuan se angazhimi amerikan në rajonin e Ballkanit nuk ka përfunduar.

Zoti Hamilton tha se një nga çështjet kryesore për vendet e Evropës Juglindore është integrimi i tyre në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë qëndrimin e tyre për këtë çështje.

“Çfarë roli duhet të luajë tani Amerika? Pjesa kryesore e debatit në Evropë ka lidhje me formën e re të Bashkimit Evropian, sesi do të zgjerohet ai. Shtetet e Bashkuara nuk janë anëtarë të kësaj organizate, por megjithatë i mbështesin qëllimet e saj për integrim”, tha ai.

Zoti Hamilton e pranoi që tani Amerika është e interesuar t’i lërë më shumë përgjegjësi Bashkimit Evropian në lidhje me Ballkanin, por theksoi se nuk besonte që një gjë e tillë mund të vlejë edhe për Kosovën, ku ai mendon se angazhimi amerikan duhet të vazhdojë.

Të dy ekspertët ishin të një mendjeje, se një largim i menjëhershëm i pranisë amerikane nga Ballkani nuk do t’i shërbente stanbilitetit të rajonit.

Zoti Lampi e përmendi Kosovën të parën, ndër çështjet ku ai mendon se do të përqendrohet bashkëpunimi mes Amerikës dhe Evropës gjatë vitit të ardhshëm.

“Unë parashikoj që marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, të ndjekin të njëjtën politikë për çështjen e Kosovës dhe standardeve që u hartuan kohët e fundit që duhet të vëzhgohen si përsa i takon palës shqiptare, edhe asaj serbe për çdo ndryshim të mundshëm në të ardhmen përsa i takon statusit të Kosovës”, tha zoti Lampe.

Ai po ashtu theksoi se Shtetet e Bashkuara e mbështesin zgjerimin e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Duke folur më gjerë për marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, Zoti Hamilton e vuri theksin tek nevoja e bashkëpunimit për çështje si Iraku dhe lufta kundër terrorizmit. Ai tha se administrata amerikane duhet të punojë në këtë drejtim.

Në të njëjtën linjë ishte edhe zoti Lampe, kur tha se do të donte që Franca dhe Gjermania të përfshiheshin në rindërtimin e Irakut dhe marrjen e kontratave të rëndësishme nga të cilat për momentin janë përjashtuar.

Në përgjithësi fjalimi i përvitshëm presidencial për gjendjen e vendit përqendrohet tek çështjet e brendshme. Ekspertët thanë se meqenëse ky vit është vit i zgjedhjeve presidenciale, presidenti duhej të trajtonte çështje për të cilat të bënte të qartë qëndrimin e vet para amerikanëve. Megjithatë zoti Hamilton vuri në dukje se ndryshe nga herët e tjera, në këtë fjalim presidencial, politika e jashtme zuri rreth 30 minuta.//kk//

XS
SM
MD
LG