Lidhje

Shqiptarë nga Kosova mbështesin gjeneralin Uesli Klark - 2004-01-25


Turmat entuziaste të cilat janë mbledhur për të takuar dhe përkrahur gjeneralin Wesley Clark, njërin nga kandidatët kryesorë të Partisë Demokrate për president, nuk i kanë ndalur temperatura e ulëta të shtetit New Hampshir. Në disa nga këto takime marrin pjesë persona të cilët thonë se i kanë borxh jetën e tyre gjeneralit Clark. Herët në mëgjesin e acartë të New Hampshirit një shtëpi zjarrfikësish e qytezës Auburn është e mbushur me përkrahës të Wesley Clarkut, të ngazëllyer me fushatën e gjeneralit të pensionuar për president të Shteteve të Bashkuara. Duke ndejtur mbi një kamion të zjarrfikësve, në krah të gjeneralit Clark është një grup të rinjsh nga Kosova. Nga viti 1997 deri në vitin 2000, gjenerali Clark shërbeu si Komandant Suprem i Aleancës Atlantike në Evropë dhe udhëhoqi fushatën shumëkombëshe për ndërprerjen e vrasjes së shqipëtarëve të Kosovës nga forcat serbe. Njëzet e katër vjeçari Arben Dobruna thotë se ndërsa disa anëtarë të familjes së tij ishin vrarë nga forcat serbe, të mbijetuarit ia kishin borxh jetën e tyre gjeneralit Clark.

“Ka shumë anëtarë të familjes sime të cilët kanë humbur por të tjerët kanë shpëtuar nga Wesley Clark dhe fushata e NATO-s, e cila i detyroi forcat serbe të largohen Kosova,” thotë Arbeni.

Malësore Hajdini është një tjetër shqiptare nga Kosova të cilës i kishin vrarë babain gjatë luftës. Tani 25 vjeçare me banim në Shtetet e Bashkuara ajo thotë se Gjenerali Clark i ka shpëtuar jetën.

“Unë jam këtu vetëm për të përkrahur dhe për ta falenderuar gjeneralin. Anëtarët e mbetur të familjes sime janë këtu dhe janë gjallë duke u arsimuar dhe duke planifikuar për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara. Ne i kemi borxh gjeneralit moralisht sepse ai ka bërë aq shumë për ne,” thotë Malësore Hajdini.

Gjatë fjalimit të tij para një turme entuziaste, gjenerali Clark tha se përvoja 34 vjeçare e tij në ushtrinë amerikane, e bën atë një kandidat unik për president.

“Unë kam punuar me krerë shtetesh, ministra të jashtëm dhe ministra të mbrojtjes. Unë kam pasur të bëj me diktatorë dhe me disa nga njerëzit më të këqinj të këtij shekulli. Unë dëshmova kundër Milosheviçit në Hagë. Përvoja ime ka qenë përvojë e një udhëheqësi, përvojë e cila i ka bashkuar njerëzit, përvojë e marrjes së vendimeve të rëndësishme duke përfshirë këtu edhe dërgimin e forcave të armatosura në konflikte të armatosura. Kjo është arsya pse unë jam kandidati më i mirë. Unë do të jem presidenti më i mirë i Shteteve të Bashkuara,” thotë gjenerali Clark.

Labinoti, një i ri tjetër nga Kosova me një pllakatë në dorë ku shkruan “Klarku për president” thotë se përveç se përkrah gjeneralin për fushatën e udhëhequr në Kosovë, ai përkrah atë edhe për qëndrimet e tij në çështje të tjera.

“Unë kam ndier nevojën që të dal këtu dhe të përkrah gjeneralin Clark për gjithë çka bërë për Kosovën por edhe për qëndrimet e tij në çështje të tjera. Unë mendoj se ai do të ishte një kandidat shumë i mirë për president,” thotë Labinot Berjajolli.

Përkrahësit e gjeneralit Clark thonë se ata do të vazhdojnë ta përkrahin atë në fushatën për zgjedhjet e New Hampshirit dhe pastaj edhe në gara të tjera deri sa ai të fitojë emërimin e Partisë Demokrate për president. Megjithëse edhe kandidatët tjerë kanë përkrahës të flaktë është vështirë të mendosh se ndonjëri nga ata ka kandidatë kaq të pasionuar si këta përkrahës të rinj të gjeneralit Clark nga Kosova.

//ad//

XS
SM
MD
LG