Lidhje

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, do të dërgojë një mision në Irak - 2004-01-26


Diplomatë të Kombeve të Bashkuara thonë se Sekretari i Përgjithshëm Kofi Anan do të njoftojë këtë javë se do të dërgojë një mision në Irak për të vlerësuar mundësitë për zhvillimin e zgjedhjeve para 30 qershorit, afati i caktuar për kalimin e pushtetit.

Me këtë vendim do të plotësohej kërkesa e administratës së presidentit Bush dhe Këshillit Qeverisës të Irakut. Zyrtarët amerikanë kishin thënë më parë se zgjedhjet e përgjithshme të drejtë për drejta para 30 qershorit do të ishin të pamundura.

Shtetet e Bashkuara kërkojnë t’i japin fund ndërhyrjes në Irak brenda qershorit, duke i kaluar pushtetin një qeveria irakiane të zgjedhur përmes një seri konferencash rajonale. Kjo qeveri do të drejtonte vendin deri në zgjedhjet e përgjithshme që duhet të zhvilloheshin para fundit të vitit 2005.

Mirëpo, kleriku i fuqishëm mysliman shiit i Irakut, Ajatollahu i Madh Ali al-Sistani, ka bërë thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të drejtpërdrejta kombëtare para afatit të 30 qershorit, duke thënë se një qeveri e zgjedhur në konferenca rajonale nuk do të gëzonte legjitimitet. Ajatollah Ali al-Sistani është shumë popullor mes shiitëve të Irakut, të cilët përbëjnë shumicën e popullsisë irakiane.

Gazeta Washington Post shkruante në numrin e saj të djeshëm se Shtetet e Bashkuara mund të bëjnë ndryshime rrënjësore në planin e tyre për kalimin e pushtetit në duart e një qeveria irakiane për shkak të kundërshtimeve nga komuniteti shiit.

//ze//

XS
SM
MD
LG