Lidhje

Peshkopi ortodoks i serbëve të Kosovës i shqetësuar për gjendjen e pakicave - 2004-01-30


Peshkopi ortodoks i serbëve të Kosovës, Hirësia e tij Artemije Radosavljeviç kritikoi politikën e komunitetit ndërkombëtar në Kosovë e cila, tha ai, favorizon shumicën shqiptare. Në një diskutim të zhvilluar dje në Uashington, Peshkopi Artemije, i bëri një përshkrim të zymtë gjendjes së pakicës serbe në Kosovë, dhe shprehu shqetësim për të ardhmen e saj.

Peshkopi Artemije ka ardhur në Uashington për një vizitë dyjavëshe gjatë së cilës ai do të zhvillojë takime me zyrtarë amerikanë dhe do të flasë në forume si ky që organizoi dje në Uashington Qendra e Politikës Perëndimore me ndihmën e Kongresit të Bashkimit Serb, një organizatë ndërkombëtare që përfaqëson serbët e diasporës.

Në diskutimin e tij, Peshkopi Artemije tha se pakica serbe e atjeshme jeton nën sundimin e terrorit, dhe për këtë ai ua hodhi fajin atyre që ai i quajti struktura të mbetura kriminale nga ish UÇK-ja. Këto grupe, tha ai, ende gëzojnë mbështetjen e shumicës së udhëheqësve dhe partive politike shqiptare.

Ai tha se shqiptarët po përdorin jo vetëm sulmet e drejtpërdrejta ekstremiste kundër serbëve por po shfrytëzojnë gjithashtu institucionet e përkohëshme si mburojë.

Peshkopi Artemije kritikoi UNMIK-un, i cili sipas tij, nuk ka arritur të ndalë prirjen negative për krijimin e një shoqërie ku qytetarët janë të ndarë në një shumicë të privilegjuar dhe në një pakicë që nuk gëzon as të drejtat më elementare.

Ai kritikoi sidomos transferimin e kompetencave të ndërkombëtarëve tek autoritetet vendore, të cilën ai e quajti pjesë të strategjisë së UNMIK-ut për t’u larguar nga Kosova.

Peshkopi Artemije shprehu skepticizëm për standadet e përcaktuara nga komuniteti ndërkombëtar për Kosovën. Ai tha se imponimi i këtyre standardeve, pa patur propozimet e serbëve, në thelb i hap rrugën shqiptarizimit dhe shkëputjes së plotë të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar kanë propozuar një vlerësim të mënyrës se si janë zbatuar standardet nga mesi i vitit tjetër, për të përcaktuar nëse mund të fillojnë bisedimet për statusin përfundimtar.

Peshkopi Artemije nuk është dakord. Dokumenti për standardet, thotë ai, në themel paragjykon shkëputjen e Kosovës dhe prandaj duhet të rishikohet urgjentisht për të qenë i pranueshëm edhe nga pala serbe.

Peshkopi Artemije, u shpreh kategorisht kundër një pavarësie për Kosovën. Kjo, tha ai, do të sillte paqendrueshmëri dhe konflikte të pashmangëshme në Ballkan dhe në Evropë.

Por si e shikon udhëheqësi ortodoks serb të ardhmen e Kosovës? Ai thotë se Kosova nuk mund të ekzistojë si një ishull i izoluar, i varur plotësisht nga taksapaguesit perëndimorë, por as mund të zhvillohet pa integrim rajonal.

Si zgjidhje më të pranueshme, Peshkopi Artemije shikon një Kosovë me autonomi të gjerë brenda Serbisë dhe Unionit Serbi-Mal i Zi, formulë të cilën shqiptarët e kundërshtojnë fuqimisht.

//rd//

XS
SM
MD
LG