Lidhje

Irak: Batalioni i dytë dhe i tretë i ushtrisë së re irakiane përfunduan stërvitjen në muajin janar - 2004-02-01


Batalioni i dytë dhe i tretë i ushtrisë së re irakiane përfunduan stërvitjen në muajin janar. Çdo batalion përbëhet nga mbi 700 ushtarë. Rekrutët e ushtrisë së re shqyrtohen me kujdes. Ata që kanë shërbyer më parë në ushtrinë irakiane jo medoemos përjashtohen nga radhët. Në ushtrinë e re nuk pranohen vetëm ata irakianët që kanë shërbyer në gardën republikane, ose kanë patur lidhje me shërbimet e zbulimit ose kanë mbajtur poste të larta në partinë Baath.

Gjenerali Paul Eaton, që komandon ekipin e koalicionit për ndihmë dhe stërvitje ushtrake, thotë se kjo do të jetë një ushtri e përbërë nga irakianët për irakianët.

“Kjo nuk është ushtria e dikurshme. Ushtria e mëparshme shtypi e terrorizoi popullin dhe shërbeu për të mbrojtur një regjim tiranik. Ajo mbështetej mbi vlera negative të sjelljeve njerëzore si lakmi, egoizëm dhe frikë. Forcat e ushtrisë së sotme irakiane i shërbejnë popullit, mbrojnë vendin dhe mbështeten në vlera të tilla si dashuria dhe respekti për të drejtat e njeriut, vetmohimi dhe toleranca për të tjerët.”

Gjenerali Eaton thotë se ushtarët e rinj përfaqësojnë shumëllojshmërinë fetare dhe etnike të Irakut.

“Për çdo grup që rekrutohet, është patur parasysh balanca etnike. Kjo krijon një atmosferë ku toleranca është thelbësore për përmbushjen e misionit. Ne duam që në radhët e ushtrisë të hyjnë ata individë që dëshirojnë të mbrojnë Irakun dhe lirinë e sapogjetur, dhe që kanë profesione të tilla si shoferë, traktorisë, kuzhinierë, infermjerë dhe mbi të gjitha këmbësorë. Një pjesë e madhe e rekrutëve të rinj kanë shërbyer më parë në ushtri, ashtu si edhe thuajse e të gjithë oficerëve dhe nënoficerëve.”

Kapiten Hasan Abdel Amir Aziz është oficer në batalionin e dytë. Ai është një mysliman Shiit. Kapiten Azizi u tha gazetarëve se 7 prej të afërmve të tij u vranë nën regjimin i Saadam Huseinit. “Familja ime nuk donte që unë të bëhesha ushtarak, por unë i thashë se kjo është detyra jonë”, thotë kapiten Azizi.

//ze//

XS
SM
MD
LG