Lidhje

Presidenti Bush mund të mbështesë idenë e krijimit të një komisioni hetimor mbi armët e ndaluara në Irak - 2004-02-01


Lajmet bëjnë të ditur se presidenti Bush mund të mbështesë së shpejti idenë e krijimit të një komisioni të pavarur për të bërë hetime rreth informacionit të zbulimit para luftës lidhur me Irakun, që ai përdori për të justifikuar ndërhyrjen amerikane në atë vend.

Sipas agjencive të lajmeve, burime të paidentifikuara të qeverisë thonë se ndihmësit e zotit Bush po diskutojnë këtë ide me zyrtarë të kongresit. Burimet thanë se brënda pak ditësh Shtëpia e Bardhë mund të bëjë një deklaratë në mbështetje të një hetimi të pavarur. Të premten presidenti Bush tha se donte të dinte faktet se pse nuk janë gjetur armë të ndaluara të shkatërrimit në masë në Irak.

Kërkimet e deritanishme të pasukseshme për armë të shkatërrimit në masë në Irak janë shndëruar në një çështje të nxehtë politike në këtë vit zgjedhjesh presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Ndërsa shumica e britanikëve kërkojnë një proces të pavarur hetimor rreth informacionit të zbulimit që u përdor për të justifikuar luftën në Irak. Anketat e opinionit të botuara sot në dy gazeta të Londrës tregojnë se mbi 54 përqind e personave të pyetur duan që të bëhet një hetim i informacionit britanik të zbulimit të para luftës.

Njëra prej sondazheve tregon se 61 përqind e britanikëve mendojnë që qeveria e kryeministrit Tony Blair e ekzagjeroi informacionin e zbulimit lidhur me kërcënimin që përbënte Sadam Huseini.Këto anketa i japin edhe më shumë hov thirrjeve të udhëheqësve të opozitës dhe të protestusve anti-luftës për një hetim të pavarur.

Kryeministri Blair e ka kundërshtuar deri tani idenë e një hetimi të tillë, duke thënë se informacioni i zbulimit që ai mori në atë kohë ishte i vlefshëm.

//IB

XS
SM
MD
LG