Lidhje

Një anëtar i Xhihadit islamik vdes nga plagët e marra nga një sulm izraelit - 2004-02-07


Mjekë palestinezë thonë se një anëtar i lartë i Xhihadit Islamik vdiq nga plagët që mori në një sulm izraelit me raketë në Qytetin Gaza.

Sipas dëshmitarëve, sulmi i sotëm nga një helikopter luftarak izraelit shkatërroi një makinë, në të cilën ndodhej Aziz al-Shami. Në këtë sulm u vra edhe një djalë 12 vjeçar pranë makinës dhe u plagosën 9 persona të tjerë.

Zyrtarë ushtarakë izraelitë thonë se zoti al-Shami mbante përgjegjësinë për vrasjen e trupave izraelite dhe se po planifikonte sulme të tjera terroriste.

Vitin e kaluar, Izraeli u përpoq ta vriste zotin al-Shami duke ndërmarrë një sulm me raketa kundër shtëpisë së tij.

Kryeministri palestinez, Ahmed Kureia, e dënoi sulmin e së shtunës, duke e cilësuar si shkallëzim të dhunës.

Ushtria izraelite ka përdorur në mënyrë të përsëritur sulme ajrore kundër ekstremistëve palestinzë gjatë tre vjetëve të fundit, një periudhë në të cilën Xhihadi Islamik ka ndihmuar fushatën e shpërthimeve vetëvrasëse kundër Izraelit.

Po të shtunën, një gjykatë ushtarake izraelite në Qytetin Gaza akuzoi 4 palestinezë për pjesëmarrje në një shpërthim të vitit të kaluar që shkaktoi vdekjen e tre amerikanëve. Zyrtarë amerikanë kanë ofruar një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për informacion rreth shpërthimit që shkatërroi një makinë të misionit diplomatik në Rripin e Gazës.

Zyrtarë palestinezë të sigurimit thonë se disa prej të dyshuarve janë anëtarë të një grupi të njohur si Komiteti i Qendresës Popullore.//kk//

XS
SM
MD
LG