Lidhje

SHBA: Senatori Kerry shpreson ta forcojë pozitën në dy shtete të tjera - 2004-02-07


Senatori John Kerry shpreson ta forcojë pozitën e tij në garën për emërimin si kandidat i Partisë Demokrate për president në dy shtete ku u mbajtën të shtunën konferencat zgjedhore partiake.

Sipas anketave të opinionit publik, senatori Kerry gëzon një mbështetje shumë më të madhe se kandidatët e tjerë në Miçigan, shteti më i madh ku bëhen zgjedhjet deri tani.

Edhe në shtetin Washington, ai pritet të fitojë. Miçigani dhe Washingtoni janë të parat mes pesë shteteve që do të votojnë në garën demokrate gjatë katër ditëve të ardhshme.

Të dielën do të mbahen konferencat zgjedhore në Maine, ndërsa të martën në Virginia dhe Tennessee do të mbahen zgjedhjet paraprake.

Si zgjidhet kandidati i një partie për President?

Sistemi amerikan për emërimin e kandidatëve demokratë dhe republikanë për president është nganjëherë kompleks dhe kaotik.

Aktualisht, gjashtë demokratë po konkurojnë për të drejtën për t’i bërë sfidë Presidentit Bush në zgjedhjet e nëntorit. Emrimi i zotit Bush si kandidat republikan për president është i sigurt pasi ai nuk përballet me ndonjë rival të rëndësishëm nga radhët e partisë së tij.

Shumica e shteteve amerikane mbajnë zgjedhje paraprake, në të cilat republikanët dhe demokratët hedhin votat në mbështetje të kandidatit që parapëlqejnë.

Shtetet e tjera organizojnë tubime apo kuvende zonale, në të cilat anëtarët e partisë shprehin mbështetjen për kandidatin e tyre të preferuar.

Zgjedhjet paraprake dhe konferencat apo kuvendet përcaktojnë sesa delagatë do të fitojë secili kandidat për në kuvdenin kombëtar, ku do të emrohet kandidati i partisë për president. Shtetet me popullsi më të madhe kanë më shumë delegatë.

Që të sigurojë emërimin si kandidat i Partisë Demokrate për president, një konkurrent duhet të fitojë mbështetjen e shumicës së më tepër se 4 mijë e 300 delegatëve në kuvendin kombëtar të partisë që do të mbahet në Boston nga 26 deri më 29 korrik.

Disa nga delegatët do të jenë udhëheqës dhe zyrtarë të zgjedhur të partisë, të cilët janë të lirë të votojnë për kandidatin që parapelqejnë. Republikanët do ta mbajnë kuvendin kombëtar të partisë së tyre në New York nga 30 gushti deri më 2 shtator.

Kuvendet kombëtare emrojnë zyrtarisht kandidatin për president, por gjatë viteve të fundit kjo procedurë është shndërruar në formalitet, pasi në fakt vendimi merret në zgjedhjet paraprake dhe konferencat zonale para kuvendit kombtar.

Sistemi politik amerikan është shtjelluar kryesisht në një sistem dypartiak me republikanë dhe demokratë, por ka raste që të ashtuquajtur kandidatë të partive të treta sigurojnë mbështetje të konsiderueshme në zgjedhjet presidenciale. //kk//

XS
SM
MD
LG