Lidhje

Shqipëri:Përfaqësuesit ndërkombëtarë dënojnë aktet e dhunës gjatë protestave opozitare - 2004-02-08


Institucionet europiane dënuan aktet e dhunshme që ndodhën gjatë protestës antiqeveritare që opozita zhvilloi të shtunën. Ambasadori Lutz Salzman, përfaqësues i Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri tha të dielëb se parlamenti është insititucioni kryesor i demokracisë së një vendi.

“Komisioni Europian dënon përdorimin e dhunës politike si një instrument i luftës politike. Për luftën politike në demokraci, Shqipëria ka institucionet që janë të mjaftueshme për t’u shprehur dhe për të bërë oponencën politike - tha ambasadori. Salzman. - Është parlamenti vendi ku mund të merren qëndrimet politike në një mënyrë paqësore dhe të matur”.

Sipas tij, edhe tubimet paqësore janë të zakonshme në vende demokratike, por nëse protestat paqësore përzihen me akte dhune, atëherë përfundimi bëhet i rrezikshëm dhe i paparashikueshëm.

Ambasadori Salzman tha se në këto raste, policia duhet të mbrojë institucionet demokratike dhe sipas tij, “policia dje në Tiranë ka mbajtur qëndrim të matur dhe të duhur”.

Diplomati i Komisionit Europian tha se situta në Shqipëri nuk është e krahasueshme me atë të Gjeorgjisë disa muaj më parë.

“Pjesa më e madhe e popullsisë në Shqipëri - tha ai - është e lodhur me protestat në rrugë dhe ata duan t’i shikojnë politikanët që të marrin vendime në parlament”.

Ambasadori Salzman i Komisionit Europian i bëri këto komente pas interesimit të shtypit për të patur qëndrime të përfaqësuesve ndërkombëtarë lidhur me zhvillimin e protestave në vend.

Por opozita do ta vazhdojë më tej këtë rrugë. Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike vendosi që të ndjekë më tej rrugën e protestave për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit Nano. Kryetari i PD, Sali Berisha, tha se opozita mban vetëm protesta paqësore, duke fajësuar sërish shërbimet sekrete për provokimin e incidenteve.

“Protesta jonë është strikt vetëm paqësore dhe do të mbetet e tillë. Gabuan shumë rëndë ata që u përpoqën ta kthenin ndryshe”, tha zoti Berisha.

Mijëra përklrahës të opozitës protestuan të shtunën në sheshin Skënderbej dhe përpara selisë së qeverisë nën tirrjen “Nano, ik!”. Gjatë tubimit forcat e rendit shtinë me armë zjarri në ajër, ndërsa turma hidhte gurë e sende të forta mbi xhamat e dritareve të kryeministrisë.//kk//

XS
SM
MD
LG