Sekretari amerikan i Shtetit, Kolin Pauëll, thotë se Pakistani ka premtuar të çmontojë një rrjet të fshehtë që u ka shitur sekrete bërthamore Iranit, Libisë dhe Koresë së Veriut.
Sekretari Pauëll tha të hënën se ai dhe presidenti pakistanez, Pervez Musharraf, diskutuan rreth këtij problemi gjatë një bisede telefonike. Ata diskutuan rreth procesit hetomor të Islamabadit në lidhje me shitjen e sekreteve bërthamore nga shkencëtari kryesor i Pakistanit në fushën atomike, Abdul Kadir Khan.
Zoti Pauëll tha se Presidenti Musharraf e kishte siguruar atë se të Pakistani kërkon të zbulojnë çdo gjë rreth veprimtarisë së rrjetit të paligjshëm në mënyrë që ai të asgjësohet plotësisht.
Zoti Khan, babai i programit bërthamor të Pakistanit, pranoi kohët e fundit se u kishte dhënë sekrete bërthamore Libisë, Iranit dhe Koresë së Veriut, por ai tha se e kishte bërë këtë gjë pa dijeninë e autoriteteve pakistaneze.
Por, kritikët thonë se është shumë vështirë të besohet se zoti Khan ka mundur t’u përcjellë sekrete bërthamore vendeve të tjera pa dijeninë e shërbimeve të fshehta apo ushtrisë së Pakistanit.
Sekretari Pauëll tha gjithashtu se Presidenti Musharraf e kishte siguruar atë se amnistia i është dhënë zotit Khan me kusht që ai të mos zhvillojë veprimtari të paligjshme.
Ndrëkohë, Koreja e Veriut hodhi poshtë deklaratën e zotit Khan se ai i kishte dhënë Phenianit teknologji armësh bërthamore. Agejncia koreanoveriore e lajmeve publikoi sot një deklaratë të ministrisë së jashtme, e cila e cilëson deklaratën e shkencëtarit pakistanez si propagandë të rreme të përhapur nga Shtetet e Bashkuara.