Lidhje

Bugajski: Shqipëria në amulli politike, ekonomike dhe sociale. - 2004-02-10


Analisti amerikan Janush Bugajski thotë se Shqipëria ndodhet në një gjendje amullie politike, ekonomike dhe sociale. Në këto kushte, thotë eksperti i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me seli në Uashington, kërkohen ide të reja dhe ndoshta një rol më i madh për një brez të ri politikanësh, përndryshe Shqipëria mund të mbetet prapa vendeve të tjera të rajonit.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri, stabiliteti politik po tronditet përsëri. Të dyja partitë politike po akuzojnë njëra tjetrën lidhur me dhunën e përdorur më 7 shkurt, por pavarësisht nga akuzat, si mendoni ju se mund të zbuten tensionet politike në Shqipëri?

Janush Bugajski: Mendoj se është e rëndësishme që politika të mbahet në kornizën e institucioneve dhe jo të nxirret në rrugë, për të mos lejuar krijimin e një situate të rrezikshme. Të protestosh nuk ka asgjë të keqe, por mendoj se brenda kufijve të sistemit demokratik, nuk duhet të lejohet të hysh me forcë në institucionet qeveritare, apo në parlament, për të zëvendësuar me dhunë një udhëheqës të caktuar politik. Unë do të isha për organizimin e një debati kombëtar lidhur me disa nga çështjet kryesore të vendit, si korrupsionin, shtetin juridik dhe paaftësinë e qeverisë. Mendoj se ky mund të ishte një debat kombëtar, me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike dhe i hapur për publikun, por jo me mjete të tilla si revolucioni në rrugë.

Zëri i Amerikës: A është Shqipëria në një krizë politike serioze?

Janush Bugajski: Mendoj se Shqipëria po qëndron në vend numëro. Ajo kalon nga një minikrizë në një minikrizë tjetër, nga një akuzë në një tjetër. Njëra palë akuzon tjetrën për krimet më të rënda që mund të përfytyrohen e anasjelltas. Mendoj se Shqipëria ka arritur në një gjendje amullie politike, ekonomike dhe sociale. Në këto kushte kërkohet një shtytje e re, ide të reja, nisma të reja dhe ndoshta një rol më i madh për një brez të ri politikanësh. Sepse përndryshe, Shqipëria mund të mbetet prapa vendeve të tjera të rajonit.

Zëri i Amerikës: Tensionet politike kësaj here e patën zanafillën te korrupsioni dhe krimi i organizuar. Në shoqëri vërehet një frymë e theksuar pesimizmi se krimi dhe korrupsioni janë aq të rrënjosur në strukturat udhëheqëse sa nuk mund të luftohen më. A është kjo një shenjë se Shqipëria po e humb këtë luftë?

Janush Bugajski: Jo. Lufta nuk është humbur por mendoj se Shqipëria ka pësuar shumë disfata, shumë beteja janë humbur, por lufta është një proces i gjatë. Mendoj se kërkohet një angazhim i ri, si nga shqiptarët ashtu edhe nga ndërkombëtarët, për të çrrënjosur jo çdo lloj korrupsioni dhe krimi, sepse kjo nuk është e mundur, por ato aspekte që prekin popullatën shqiptare, sidomos ekonominë, duke përfshirë trafikun njerëzor, kontrabandën, korruptimin e politikanëve, të shërbimeve doganore. Pikërisht këto gjëra duhet të luftohen më me vendosmëri gjatë viteve të ardhëshme.

Zëri i Amerikës: Gjithmonë politikanët në Shqipëri paraqesin strategji dhe skema të ndryshme për luftimin e varfërisë. Si mund të dalë Shqipëria nga varfëria, e cila me sa duket është një nga rrënjët e tensioneve që krijohen atje?

Janush Bugajski: Mendoj se rrënjët e problemit, ose njëra nga rrënjët është se Shqipëria nuk ka një klasë të mesme, e cila të lejohet të funksionojë brenda një sistemi të shtetit juridik. Në të gjitha vendet evropiane gjatë shekujve të kaluar, kemi parë një klasë të mesme në rritje të vazhdueshme. Natyrisht, në ato shoqëri ka njerëz shumë të pasur dhe shumë të varfër, por atje ka edhe një klasë të madhe të mesme, e cila angazhohet politikisht, është e aftë të përcaktojë hapësirën e saj politike, në të cilën shteti juridik respektohet, gjë që tërheq investime të huaja, respektohet nga shtetet e tjera dhe është në gjendje të krijojë vende pune. Këtë ende nuk e shikojmë në Shqipëri sa duhet.

Zëri i Amerikës: Shumë analistë thonë se disa nga tensionet më të mprehta politike të Shqipërisë do të zgjidheshin në rast se në krye të klasës politike vijnë njerëz të panjollosur nga politika e së kaluarës. Por kjo mund të jetë e vështirë, pasi në Shqipëri me sa duket klanet luajnë një rol të rëndësishëm në politikë. Cili është mendimi juaj?

Janush Bugajski: Mendoj se idealja do të ishte që në Shqipëri brezi i ri të angazhohej më shumë në politikë. Tragjedia në Shqipëri është se atje ka aq shumë të rinj, të cilët kanë humbur besimin dhe madje duan ta braktisin vendin, pasi nuk shikojnë atje një të ardhme. Ata duhen angazhuar si ekonomikisht ashtu edhe politikisht. Mendoj se çdo lëvizje e re që lind, e cila ka një program shoqëror ose politik, është një lajm i mirë për Shqipërinë. Të huajt dhe vetë shqiptarët duhet t’i nxisin të rinjtë të angazhohen më shumë në politikë. Kjo është e vetmja mënyrë për të çrrënjosur mendësinë e vjetër të interesave speciale, sepse me këtë nënkuptohen pikërisht klanet, pra grupet e veçanta që ndihmojnë njëri-tjetrin.

Zëri i Amerikës: Le të flasim pak për Kosovën. Ju e dini nga përvoja si analist se në politikë gjërat ndryshojnë shpejt, ndryshojnë sidomos përparësitë e shteteve të mëdha, ndryshon klima politike botërore. A mendoni se politikanët e Kosovës po e shfrytëzojnë si duhet momentin për të qenë gati në vitin 2005, kur komuniteti ndërkombëtar do të vlerësojë se si janë zbatuar standardet?

Janush Bugajski: Jo sa duhet. Mendoj se duhet të bëhet më shumë për të patur një plan veprimi midis periudhës së tanishme dhe kohës kur në Shtetet e Bashkuara do të kemi një administratë tjetër, pra nga fillimi i vitit të ardhshëm. Kjo mund të jetë administrata e Presidentit Bush, por mund të jetë edhe një ekip i ri brenda kësaj administrate me një program të ri. Një administratë demokrate mund të kishte një program krejt të ri. Sidoqoftë është e rëndësishme që shqiptarët të kenë një plan veprimi, propozime ose argumente të forta, që të mund t’ia paraqesnin administratës së ardhëshme amerikane, për t’i treguar asaj se është arritur mjaft për të kaluar në hapin tjetër, pra në hartimin e një plani për pavarësinë.

Zëri i Amerikës: Në Serbi, shikojmë shumë ndryshime politike. Si mendoni ju se këto ndryshime të shpeshta mund të ndikonin në çështjen e përcaktimit të statusit të Kosovës, për shembull nëse radikalët vijnë në pushtet?

Janush Bugajski: Për Serbinë, në rastin më të keq, nëse radikalët kthehen në pushtet, kjo do të ishte një argument më shumë si në favor të pavarësisë për Kosovën ashtu edhe për pavarësinë e Malit të Zi. Nëse në Serbi kemi një qeverisje të paqendrueshme, atëhere edhe angazhimi i atjeshëm për një farë shteti të unifikuar do të dobësohej. Unë nuk shikoj një të ardhme ku Serbia të jetë e lidhur si shtet me Kosovën. Herët a vonë, Beogradit do t’i thuhet shumë hapur: ju duhet të reformoheni vetë. Dhe një bashkim i të dyve do ta bënte dyfish më të vështirë reformimin.

XS
SM
MD
LG