Lidhje

Irak: Të paktën 46 të vdekur nga një shpërthim në Bagdad - 2004-02-11


Zyrtarë irakianë thanë se shpërthimi i fuqishëm i një makine-bombë në Bagdad shkaktoi të paktën 46 të vrarë, një ditë pasi më shumë se 50 veta u vranë nga një sulm i ngjashëm në jug të kryeqytetit irakian.

Zyrtarët thanë se shpërthimi i së mërkurës që ndodhi përjashta një qendre irakiane për rekrutim ushtarësh, shkaktoi gjithashtu edhe dhjetra të plagosur. Koloneli amerikan Ralph Baker tha se një veturë e mbushur me sasi eksplozivi deri në 225 kilogram shpërtheu para qendrës së rekrutimit, ku ndodheshin rreth 300 veta.

Të martën një sulm i ngjashëm në qytetin Iskandarija shkaktoi vdekjen e mbi 50 vetave, që po prisnin të kërkonin punë në forcën policore lokale.

Asnjeri nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimet, por zyrtarët amerikanë thonë se ato ngjajnë me operacionet e Al-Kaidës.

Po të mërkurën në zhvillime të tjera, zyrtarë ushtarakë amerikanë në Bagdad njoftuan se kishin dyfishuar në 10 milion dollarë shpërblimin për terroristin e dyshuar Abu Musab al-Zarqavi. Në fillim të javës, zyrtarët amerikanë thanë se kishin gjetur një letër, për të cilën thuhet se operativë të dyshuar të Al-Kaidës kishin hartuar një plan për të filluar luftë sektare në Irak.

//ze//

XS
SM
MD
LG