Lidhje

Udhëheqësit turk dhe grek të Qipros arrijnë marrëveshje - 2004-02-13


Udhëheqësit e komunitetit turk dhe atij grek të Qipros arritën në një marrëveshje lidhur me bisedimet që do të zhvillohen në të ardhmen për të zgjidhur çështjen e ishullit të ndarë.

Marrëveshja bazohet në një propozim që bëri të premten Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, pas tri ditë bisedimesh në Kombet e Bashkuara.

Zoti Annan tha se palët do t’i zhvillojnë bisedimet e ardhshme më 19 shkurt në Qipro, nën vëzhgimin e të dërguarve të OKB-së. Në se nuk arrihet në një marrëveshje për të gjitha çështjet deri më 22 mars, në bisedime do të përfshihet edhe Greqia dhe Turqia.

Më 29 mars, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së do të gjykojë për çështjet e pazgjidhura. Plani përfundimtar atëhere do të paraqitet për t’u votuar nëpërmjet të një referendumi në komunitetet greke dhe turke të Qipros. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Peter Heinlein njofton:

Marrëveshja që u arrit të premten u hap rrugën bisedimeve të mëtejshme që do t’i jepnin fund ndarjes për 30 vjet me radhë të ishullit të Qipros. Synimi është miratimi i planit përfundimtar nëpërmjet një referendumi si në komunitetin grek edhe në atë turk të Qipros, për bashkimin e ishullit para afatit të 1 majit që është caktuar për pranimin e ishullit në Bashkimin Evropian.

Marrëveshja u arrit ditën e katërt të bisedimeve tri-palëshe, me pjesëmarrjen e udhëheqësit turk të Qipros, Rauf Denktash, presidentit grek të ishullit Tassos Papadhopulos dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Kofi Annan.

Pas tri ditë bllokimi, zoti Annan u paraqiti sot të dy udhëheqësve rivalë një propozim të fundit, të cilin të dyja palët e pranuan menjëherë.

Zoti Annan e bëri të njohur buzagaz rezultatin e bisedimeve, duke thënë se shënonte një ditë shumë të mirë për Qipron.

Kam kënaqësinë të bëj të njohur se të dyja palët kanë premtuar se do të negociojnë me sinqeritet, duke u bazuar në planin tim për të arritur në një marrëveshje domethënëse lidhur me problemin e Qipros nëpërmjet të një referendumi të veçantë, i cili do të zhvillohet njëkohësisht në secilin prej komuniteteve, para afatit të caktuar të 1 majit 2004”, tha zoti Annan.

Zoti Anan tha se bisedimet do të vazhdojnë më 19 shkurt në Qipro, në praninë e përfaqësuesit të tij, Alvaro de Soto, i cili do të shërbejë si ndërmjetës. Nëse atje nuk arrihet ndonjë marrëveshje, negociatat do të zhvendosen në New York për një sesion përfundimtar, në të cilin do të merrnin pjesë edhe Greqia e Turqia. Zoti Anan rezervon të drejtën të vendosë për çështjet e pazgjidhura të dokumentit përfundimtar që do të hidhej në referendum në muajin prill.

“Si masë e fundit, nëse vazhdojnë mosmarrëveshjet, të dyja palët më kanë ftuar të përdor gjykimin tim për t’i dhënë dokumnetit formën përfundimtare që do të paraqitet në referendim në bazë të planit tim”, tha zoti Anan.

Pas negociatave shumë të vështira, udhëheqësit e dy komuniteteve qipriote thanë se shpresojnë që raundi i ardhshëm i bisedimeve do të jetë i suksesshëm. Por, presidenti grekqipriot, Tassos Papadopulos, shprehu pikëpmajet e të dyja palëve, duke thënë se është tepër shpejt të parashikohet rezultati i bisedimeve.

“Në të kaluarën kemi përjetuar shumë shpresa të rreme. Kështu që nuk dëshiroj të bëj ndonjë parashikim”, tha udhëheqësi grek qipriot.

Nëse procesi i negociatave bllokohet gjatë dy muajve të ardhshëm, vetëm sektori grek i Qipros, i cili njihet nga komuniteti ndërkombëtar, do të hyjë në radhët e Bashkimit Evropian. Kjo do ta thellonte edhe më tej izolimin e sektorit turk të ishullit, që njihet vetëm nga Turqia.//kk//

XS
SM
MD
LG