Lidhje

Berisha: Pushtetin e marrim vetëm me zgjedhje - 2004-02-13


E akuzuar nga qeveria dhe shumica e majtë si përgjegjëse për incidentet e 7 shkurtit përpara kryeministrisë, opozita ka fajësuar nga ana e saj segmente shtetërore se provokuan përplasjet dhe aktet e dhunës.

Akte të cilat u dënuan menjëherë dhe ashpër nga komuniteti ndërkombëtar. Që prej asaj dite, disa herë me radhë kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka përsëritur hapur se manifestimi i 7 shkurtit ishte tërësisht paqësor dhe një kthesë historike.

Zoti Berisha ka ritheksuar se protestat do të vazhdojnë në mënyrën më qytetare. Edhe të premten duke folur përpara aktivit të degës së Tiranës, ai deklaroi se lëvizja që ka marrë emrin “Nano ik” nuk është një lëvizje për pushtet:

“Jo, pushtetin e marrim vetëm me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Eshtë një lëvizje për emancipim kombëtar, është një lëvizje për të provuara se nuk pranojhmë një klikë që na vjedh e poshtëron cdo ditë, se dime të votojmë, si maqedonasit, serbët, malazezët, shqiptarët e Kosovës dhe si gjithë banorët e tjerë të Ballkanit”, tha ai.

Zoti Berisha i bëri thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve të opozitës që të qëndrojnë, të mos tërhiqen si dhe të ruhen nga provokimet. Sipas kryetarit demokrat manifestimet e opozitës nuk do të ndalen:

“Lëvizja jonë është një lëvizje që synon para së gjithash vlerat e demokracisë, shtetin ligjor, vlerat e qytetarëve shqiptarë, qytetërimit perëndimor, të jenë në piedestal në vendin tonë. 21 shkurti është etapa e dytë e madhe. Pranvera do të jetë pranvera e protestave të fitores”.

Zoti Berisha shpjegoi se motivet e kësaj lëvizjeje janë rritja abusive e çmimeve të telefonisë, energjisë, bukës të cilat janë shkaktuar nga vjedhjet dhe monopolet qeveritare tha ai. Ai akuzoi qeverinë se ka bllokuar parlamentin duke i mohuar të drejtën opozitës për të ngritur komisione hetimore dhe se prej 7 vjetësh siç u shpreh kryetari demokrat, shqiptarët nuk mund të votojnë të lirë.//kk//

XS
SM
MD
LG