Lidhje

Haradinaj: Komuniteti Ndërkombëtar duhet të ketë më shumë besim tek institucionet e Kosovës - 2004-02-13


Udhëheqësit e tri partive kryesore politike në Kosovë zhvilluan të premten një takim me kryadministratorin Hari Holkeri. Zëri i Amerikës intervistoi kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili mori pjesë në këtë takim.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, çfare u arrit në takimin që zhvilluat sot dhe cili ishte synimi i vërtetë i këtij takimi?

Ramush Haradinaj: Takimi ishte i ftuar nga kryeadministratori, zoti Holkeri që të informojë udhëheqësit poltikë, por edhe të pakicave për udhëtimin e tij, për takimet që kishte pasur, për qëndrimet që kishte gjetur në qendrat e vendimmarrjes dhe sidomos, sikurse u shpreh ai, për klimën në Këshillin e Sigurimit rreth Kosovës. Ajo që e karakterizoi takimin e sotëm, mund të them se ishte një realizëm më i madh i kryeadministratorit dhe bindja ime është se fjala e zotit Holkeri dhe në përgjithësi fjalët dhe qëndrimet e deritanishme që janë shprehur këto ditë reflektojnë më realisht për Kosovën. Mirëpo sikurse u tha në atë takim, sikurse ishte edhe qëndrimi ynë, ne në Kosovë ndodhemi para një plani shumë serioz, i cili është një plan shumë i madh për Kosovën që janë standardet. Duhet të jemi të përgatitur, duhet të marrim edhe masa shtesë që të arrijmë suksese, por në radhë të parë duhet të ndërtojmë një qeveri funksionale në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, në të kaluarën e afërt ju keni qenë mjaft kritik ndaj zotit Holkeri, duke pohuar se shqiptarët nuk kanë luajtur ndonjë rol në përgatitjen e raportit që ai ka paraqitur në Kombet e Bashkuara dhe për faktin se asnjë nga udhëheqësit shqiptarë nuk e ka shoqëruar atë në Nju Jork. A pritet ndonjë ndryshim në këto dy aspekte në të ardhmen?

Ramush Haradinaj: Ishte kërkesë e jona që krahas zotit Holkeri, në Nju Jork të prezantoheshin edhe liderët e institucioneve të Kosovës në mënyrë që pamja për Kosovën të ishte më e vërtetë. Unë jam shprehur më përpara se zoti Holkeri nuk mund të jetë zëri i Kosovës, sepse në Kosovë përveç pikëpamjes, apo kuptimeve për Kosovën që vijnë nga UNMIK-u, është një e vërtetë shumë e qëndrueshme është ajo se si ne i kuptojmë zhvillimet në Kosovë dhe është me dobi për angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare që udhëheqësit e institucioneve të Kosovës të mund t’i prezantojnë arritjet, synimet, por edhe vështirësitë që hasim. Zoti Holkeri premtoi se në rast të përparimeve që do të ndodhin në Kosovë rreth standardeve, në një të ardhme të afërt do të ndodhë që do të prezantohen udhëheqësit e institucioneve të Kosovës edhe në Këshillin e Sigurimit dhe në qendra të tjera vendim-marrëse.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, bisedimet me Beogradin për çështje teknike janë një prej standarteve që ju duhet të përmbushni dhe një prej çështjeve që u diskutua sot. Sipas UNMIK-ut dhe qeverisë së Kosovës, ato pritet të fillojnë së shpejti. Sa të angazhuar janë udheheqësit e Kosovës për zhvillimin e këtyre bisedimeve?

Ramush Haradinaj: Ne i kemi dhënë një mbështetje të plotë, planit të standardeve për Kosovën. Tani jemi në fazën e dytë do të thosha, ose në aspektin implementues. Grupet punuese me përbërje të plotë, pra me përfaqësim të plotë vendor përveç pakicës serbe, janë duke zhvilluar punë intensive për përgatitjen e planit për implementim të standardeve. Një prej angazhimeve dhe një prej punëve që po bëjnë vetë grupet punuese është edhe përgatitja e bisedave me Beogradin. Përsa i përket Kosovës, janë bërë përgatitje dhe ka një gadishmëri nga aspekti politik dhe nuk ka pengesa që kjo të ndodhë. Ne kemi një situatë të vështirë të bashkëpunojmë, apo të bashkëbisedojmë, me këtë rast flas për qeverinë e Kosovës, me Qendrën Koordinuese për Kosovën të udhëhequr nga zoti Çoviç, qendër e cila në vazhdimësi ka qenë mbështetëse e strukturave paralele dhe e veprimeve destruktive që kanë ndodhur në Kosovë. Mendojmë se është në të mirën e Kosovës, në të mirën e angazhimeve të përbashkëta, por sidomos edhe në të mirën e serbëve të Kosovës që në këto bisedime të marrin pjesë njerëz të zgjedhur në Serbi, mekanizma të qeverisjes së Serbisë, por jo improvizime të tilla siç është Qendra Koordinuese për Kosovën, e cila mund të them se ishte një qendër e veprimeve destruktive, destabilizuese për Kosovën.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, disa kritikë thonë se udhëheqësit shqiptarë të Kosovës po tregohen disi të ngurtë dhe me përjashtim të këmbënguljes në kërkesën për pavarësi, tregojnë pak angazhim konkret për procesin që do të vendosë për të ardhmen e Kosovës. Si u pergjigjeni ju kritikëve që thonë se ju në të vërtetë nuk jeni aq të angazhuar për përmbushjen e standardeve që janë caktuar nga komuniteti ndërkombëtar?

Ramush Haradinaj: Mund të them se në Kosovë kanë ndodhur përparime. Vetë funksionimi i Kosovës si një shoqëri mund të them se ekziston. Ajo që po kërkojmë ne pikërisht në këtë rast nuk është menjëherë pavarësia, ky është vullneti i popullit të Kosovës, për Kosovën e pavarur, por ne po kërkojmë një ndërtim konkret të një shoqërie të funksionueshme. Unë habitem me një oportunitet që ekziston në UNMIK, në këtë rast edhe tek zoti Holkeri dhe sot ia shpreha një gjë të tillë, habitem edhe me bashkësinë ndërkombëtare pse ka një hezitim që Kosovës t’i japë një qeveri të funksionueshme, të plotë. Në rast se dëshirojmë të arrijmë më shumë progres në Kosovë, duhet të kemi një qeveri të funksionueshme, një qeveri që ka mundësi të marrë vendime në vazhdimësi, pra për çdo ditë dhe të planifikojë angazhimet e veta në përputhje me këto vendime dhe me këtë qasje që kemi në Kosovë. Pra e përsëris, gadishmëria jonë për të ndërtuar Kosovën, për të ndërtuar jo vetëm atë që i kemi thënë paqe në vazhdimësi, por një shoqëri të funksionueshme ekziston. Mendoj se ekziston një hezitim nga pala ndërkombëtare që kosovarëve t’u besohet më shumë. Plani i standardeve për Kosovën, është cilësuar nga ne si kthesë pozitive, që ka ardhur në kohën e duhur dhe ne do të dëshmojmë përmes këtij plani, se jemi të përgatitur, kemi vullnet që të përparojmë zhvillimet e përgjithshme në Kosovë, por kërkojmë një mbështetje më të madhe që të ndërtojmë edhe më tutje kapacitetin e institucioneve të Kosovës.//kk//

XS
SM
MD
LG