Lidhje

Vepra të artit antikomunist, në një ekspozitë të pazakontë në Hungari - 2004-02-15


Në Budapest është hapur një ekspozitë e pazakontë, me vepra të artit antikomunist të krijuara në kohën kur Hungaria ishte nën sferën e ndikimit sovjetik. Ekspozita hapet në klimën e një debati të ri lidhur me lirinë e shprehjes në vend.

Salla e ekspozitës në Parkun e Mijëvjeçarit ushton nga muzika. Është një muzikë e pazakontë. Ekzekutuesit e saj përdorin vegla dhe pajisje uzinash për të krijuar tingujt, duke u tallur me marshet socialiste të epokës sovjetike dhe me këngët që i thurrnin lavde udhëheqësve komunistë.

Në kohën e komunizmit ata do të ishin arrestuar, së bashku me artistët dhe shkrimtarët e tjerë që guxonin të kritikonin autoritetet. Një rezistencë e tillë artistike në atë kohë quhej Lëvizja Samizdat dhe tani ajo është pjesë e kësaj ekzpozite që mban pikërisht emrin ”Samizdat: Kulturat Alternativë në Evropën Lindore nga viti 1956 deri në vitin 1989”.

Termi Samizdat do të thotë botim i krijimeve të vetes dhe u krijua në vitet 50 nga poeti Nikolai Gllazkov. Ai i botoi veprat e tij vetë sepse autoritetet sovjetike nuk ia pranonin.

Artistët e Samizdatit u persekutuan nga autoritetet në të gjithë rajonin. Në disa raste ata thjesht merreshin në pyetje nga policia sekrete. Por shumë prej tyre e pësuan keq.

Ekspozita do të mbyllet më 2 maj, ditën kur Hungaria do të pranohet në Bashkimin Evropian.

Ministri i jashtëm gjerman, Joschka Fischer, i cili hapi ekspozitën, tha se atij ende i kujtohet lufta për liri në Hungari, e cila u shtyp nga ushtarët sovjetikë.

“Zoti Fischer, i cili u rrit në kushtet kur Gjermania ishte e ndarë, tha se revolucioni hungarez ishte një nga kujtimet më të pashlyera të fëmijërisë së tij. Ai tha se ndonëse atëhere ishte vetëm 8 vjeç, i kujtohet se si prindërit dëgjonin radion për të marrë vesh se çpo bëhej me revolucionin”.

Ministri gjerman shprehu gjithashtu kënaqësinë që ndarja e Evropës do të marrë fund më 1 maj, kur Bashkimi Evropian të pranojë 10 vende të reja, shumica ish komuniste.

Disa vizitorëve ekspozita u kujton rolin e tyre gjatë epokës komuniste. Një prej tyre është 55-vjeçari Andras Domany, tani redaktor në radion hungareze.

Duke parë botimet e Samizdatit ai e pranon se ka qenë anëtar i Partisë Komuniste dhe thotë se megjithë të metat e regjimit komunist, disa gjëra të asaj kohe i pëlqenin. Në Hungarinë komuniste, shton ai, nëse do të blinte botime të samizdatit, karriera e tij si gazetar do të kishte marrë fund.

“Meqenëse unë punoja për një institucion si ky, pra një institucion publik, nuk mund të shkoja në dyqane të samizdatit, sepse policia të fotografonte dhe ditën tjetër mund të më pushonin nga puna”, thotë ai. Disa organizata të djathta dhe të qendrës së djathtë thonë se zyrtarë të medias me një të kaluar komuniste si ajo e zotit Domany, duhet t’i hapin rrugën brezit të ri. Por të tjerë thonë se Hungaria duhet të shikojë drejt së ardhmes dhe se përçarjet në shoqëri vetëm se do të frenonin zhvillimin.

Sidoqë të jetë rezultati i këtij debati, organizatorja 28-vjeçare e ekspozitës, Nora Somlyody shpreson se të rinjtë nuk do ta harrojnë historinë e 50-60 vjetëve të fundit. “Për fat të keq, tek të rinjtë mungon interesimi. Përveç historianëve të rinj që u pëlqen ta pasqyrojnë këtë pjesë të historisë nga një këndvështrim i ndryshëm, mendoj se brezi i ri nuk është shumë i interesuar për atë që ka ndodhur para vitit 1989”.

Ekspozita hapet në një kohë kur Hungaria është e përfshirë nga një debat kombëtar lidhur me lirinë e shtypit, pra sa larg duhet të shkojë kjo liri. Parlamenti po shqyrton një projektligj për të ndaluar gjuhën e urretjes në media dhe kjo shihet nga disa si shkelje e lirisë së shtypit. Por të tjerë thonë se të jesh i papërgjegjshëm dhe të nxisësh urrejtjen, kjo nuk e garanton aspak lirinë e shtypit.//kk//

XS
SM
MD
LG