Lidhje

2005 do të bëhet realitet vetëm në se Kosova dhe komuniteti ndërkombëtar angazhohen seriozisht - 2004-02-19


Në vitin 2005 komuniteti ndërkombëtar pritet të bëjë vlerësimin e gjendjes në Kosovës dhe të vendosë në se ka ardhur apo jo koha për të hapur bisedimet për statusin përfundimtar. Por sa i përgatitur është komuniteti ndërkombëtar për t’u marrë me një problem tjetër të vështirë, në botën e sotme kur vëmendja është përqendruar tek lufta kundër terrorizmit? Në një intervistë për Zërin e Amerikës ambasadori Morton Abramowitz, jep vlerësimet e tij për gjendjen në Kosovë dhe për gadëshmërinë e vendeve perëndimore për të zgjidhur çështjen e statusit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, kur Nënsekretari i Shtetit Mark Grosman shpalli nismën për vlerësimin e standarteve në mes të vitit 2005 për Kosovën, atje u vu re një gjallëri, një entuziazëm. Sipas mendimit tuaj, a është ruajtur ky entuziazëm, ky ritëm?

Ambasadori Abramowitz: Mbetet për t’u parë. Caktimi i datës ishte një gjë e dëshirueshme. Tani i takon perëndimit dhe banorëve të Kosovës ta shndërojnë atë në realitet, të bëjnë gjithshka të mundur, që 2005 të kthehet në një moment jetik dhe të respektohet si afat, që premtimi e perëndimit për ta bërë këtë datë një datë vendimtare të respektohet. Pjesërisht sa thashë më lart do të varet nga ato që ndodhin në Kosovë, por edhe perëndimi nga ana e tij duhet të angazhohet tërësisht për këtë proces dhe të mos krijojë standarte të pamundura për t’u realizuar. Perëndimi duhet të ketë parasysh realitetin atje dhe të marrë masa që procesi të ecë përpara. Është ende herët të thuhet se çfarë do të ndodhë, por unë shpresoj që zhvillimet në Kosovë dhe një angazhim serioz nga vendet perëndimore, do të çojnë në përparimin e kësaj çështjeje, që deri tani është vonuar shumë.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador viti 2005 nuk është larg, po të kihen parasysh problemet me të cilat ndeshet Kosova sot. Cilat janë sfidat kryesore, që udhëheqësit politikë shqiptarë duhet të përballojnë, në mënyrë që të marrin një vlerësim pozitiv vitin e ardhshëm?

Ambasadori Abramowitz: Unë personalisht do të kisha parapëlqyer që në Kosovë të ekzistonte më parë një qeveri me kompetenca të plota, të largohej UNMIK-u dhe të krijohej një qeveri e vërtetë dhe e efektshme. Por komuniteti ndërkombëtar ka vendosur të ndjekë një rrugë tjetër dhe Kosova nuk ka alternativë tjetër, veç zbatimit të saj. Kështu, gjatë këtij viti, duhet bërë përparim për gjithë standartet. Ato janë të gjitha të rëndësishme, por ndoshta më kryesoret janë garantimi i sigurisë për pakicat, nxitja e kthimit të të zhvendosurve, krijimi i të drejtave civile për të gjithë, me pak fjalë të krijohet, ajo që ne e quajmë, një shoqëri e mirë civile. Kjo është gjeja më kryesore. Pa dyshim që ka edhe probleme të tjera për t’u zgjidhur si për shembull në ekonomi. Por nga ana tjetër është e rëndësishme që perëndimi të mos ngrejë kërkesa të parealizueshme. Disa prej tyre, për mendimin tim, janë të pakuptueshme e aq më tepër kur kërkohet realizimi i tyre brenda një viti. Standartet duhen parë në një mënyrë shumë praktike. Ka shumë reforma që duhen bërë. Por në 2005 nuk duhet kërkuar një shoqëri të përkryer, një shoqëri që nuk ekziston sot në asnjë vend të Ballkanit. Megjithatë, standartet janë një gjë e rëndësishme që duhet të bëjë populli i Kosovës. Ato do të ndihmojnë për të krijuar një vend të mirë dhe banorëve të Kosovës u duhet të punojnë shumë për t’i realizuar.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, sa i përgatitur është komuniteti ndërkombëtar, sa të përgatitura janë fuqitë e mëdha, për të marrë vendime të vështira politike?

Ambasadori Abramowitz: Kjo është një pyetje që edhe unë ia bëj shpesh vetes. Më vjen keq që nuk mund të jap një përgjigje përfundimtare për të. Fuqitë e mëdha nuk kanë qënë të gatshme të përballohen me këtë çështje. Unë kam shprehur edhe më parë shqetësim se politika e standarteve para statusit, ishte një përpjekje për ta shtyrë zgjidhjen e çështjes së Kosovës, me shpresë se do të gjendej një formë që Serbia dhe Kosova të gjenin një gjuhë të përbashkët. Për mendimin tim, fuqitë e mëdha, ende nuk e kanë as vetë të qartë dhe nuk e kanë menduar se çfarë procesi do të ndjekin, pasi të japin vlerësimin se standartet janë plotësuar. Unë nuk kam parë ndonjë përgatitje për këtë. Ndoshta ekziston, por unë nuk jam në dijeni të ndonjë përgatitje. Ka ende paqartësi se si do të kalohet nga miratimi i standarteve tek procesi për statusin e Kosovës. Për mendimin tim, perëndimi është i përçarë në këtë çështje. Dikush duhet të marrë rolin udhëheqës dhe të përcaktojë procesin, që për mua do të çojë në mënyrë të pashmangshme në një Kosovë të pavarur. Por jo të gjitha vendet perëndimore janë dakort me një përfundim të tillë.

Zëri i Amerikës: Ditët e fundit në shtypin shqiptar dhe atë serb ka patur spekullime për një ndarje të mundshme të Kosovës, si një prej formave të zgjidhjes së statusit të saj përfundimtar. A mendoni ju se ndarja e Kosovës është një aleternativë serioze?

Ambasadori Abramowitz: Të gjithë do të preferonin që Kosova të mos ndahej. Ky do të ishte edhe mendimi im dhe i shumë të tjerëve, që Kosova të mbetej siç është. Por nga ana tjetër, nuk mund të përjashtoj mundësinë, që në bisedimet, që të shpresojmë se do të fillojnë së shpejti midis Serbisë dhe Kosovës, mund të dalin edhe zgjidhje të tjera. Mendimi im është se çdo marrëveshje për të cilën të dyja palët do të binin dakort, do të ishte e pranueshme. E mira do të ishte që Kosova të mos ndahej. Personalisht, për shkak të paqartësisë së zhvillimit të ngjarjeve, nuk mund ta përshtoj ndarjen si një zgjidhje. Në këtë moment kjo është një prej alternativave, ndonëse një alternativë e papëlqyeshme.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, çfarë ndikimi pritet të ketë gjendja e paqëndrueshme politike në Serbi, për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Ambasadori Abramowitz: Të gjithë jemi të shqetësuar me atë që po ndodh në Serbi. Zhvillimet e atjeshme janë një kthim pas. Është ende e paqartë, në se Serbia do të arrijë të krijojë një qeveri reformatore dhe të efektshme. Disa nga deklaratat që vijnë nga Beogradi, veçanërisht ato në lidhje me Gjykatën e Hagës, janë shumë shqetësuese. Unë kam frikë se perëndimi do të thotë, se meqë kemi një gjendje të brishtë në Serbi, nuk mund të përparojmë në çështjen e statusit përfundimtar për Kosovën. Tani egziston një paqartësi edhe më e madhe për shkak të zhvillimeve në Serbi. Në këtë moment, unë nuk ndihem optimist për zhvillimet në Serbi, se atje do të ketë një qeveri reformatore, që do të respektonte angazhimin ndaj Gjykatës së Hagës dhe që do të krijojnë një Serbi, që ne të gjithë do ta mirëprisnim dhe që do të arinte një marrëvesje për Kosovën. Për Serbinë procesi ka përsuar një kthim pas.

XS
SM
MD
LG