Një zyrtar amerikan në Bagdad, tha se komentet e kryeadministratorit amerikan në Irak, Paul Bremer, se organizimi i zgjedhjeve në atë vend nuk do të jetë i mundshëm të paktën edhe për një vit, janë keqkuptuar.
Në një intervistë, pjesë të së cilës u transmetuan të shtunën nga rrjeti televiziv Al Arabia, ambasadori Bremer tha se probleme të tilla si mungesa e një ligji për zgjedhje, mungesa e listës së votuesve dhe fakti që në atë vend nuk është organizuar ndonjë regjistrim i besueshëm i popullsisë për afro 20 vjet, duhet të zgjidhen para se në Irak të zhvillohen zgjedhje të vlefshme. Për zgjidhjen e këtyre problemeve, tha ai, mund të duhen deri në 15 muaj.
Dan Senor, zëdhënësi i Ambasadorit Bremer, tha të shtunën se nuk është mendimi i kryeadministratorit se do të duhen 15 muaj për mbajtjen e zgjedhjeve. Zoti Senor tha se janë shprehur një numër opinionesh lidhur me kohën që mund të duhet për organizimin e zgjedhjeve. Ai tha se zoti Bremer nuk ka përjashtuar mundësinë e zhvillimit të zgjedhjeve më shpejt.
Zëdhënësi tha se është e qartë se zgjedhjet nuk do të zhvillohen para afatit të 30 qershorit për kalimin e pushtetit, siç është kërkuar nga udhëheqësi më i njohur shiit i Irakut, Ajatollah Ali al-Sistani.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, tha këtë javë se pajtohet me qendrimin e Shteteve të Bashkuara se zgjedhjet në Irak nuk mund të mbahen para 30 qershorit.
Ndërkohë, persona të armatosur sulmuan një autokolonë amerikane në afërsi të Bagdadit, duke vrarë një përkthyes irakian dhe plagosur 4 ushtarë amerikanë. //kk//