Lidhje

Mijëra vetë marrin pjesë në protestën e opozitës kundër qeverisë së kryeministrit Nano - 2004-02-21


Partitë e opozitës organizuan të shtunën në kryeqytet një tubim proteste me pjesëmarrjen e mijëra përkrahësve të tyre. Udhëheqësit opozitarë kërkuan largimin nga detyra të kryeministrit Fatos Nano, duke e quajtur atë shkaktar të varfërisë, krimit të organizuar, krizës sociale e ekonomike që, sipas tyre, po kalon vendi.

Organizatrët pohuan se protesta mbahej në valën e Lëvizjes “Nano, ik!”. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi qeverinë socialiste për thellimin e varfërisë në vend me ngritjen e çmimeve dhe kontrollin e tregjeve me mallra monopole të zyrtarëve të lartë.

Ai kujtoi rrëzimin 13 vjet më parë po në atë shesh të shtatores së diktatorit komunist Enver Hoxha, duke theksuar se sot të majtët kanë ndërtuar një qeveri të zhytur në vjedhje, korrupsion dhe trafiqe të paligjshme.

“Lëvizja ‘Nano, ik!’ është lëvizja qytetare shqiptare e djemve dhe vajzave, burrave dhe grave, intelektualëve dhe studentëve, punonjësve shtetërorë dhe privatë; është lëvizja e gjithë shqiptarëve që tek regjimi i Nanos dhe tek ai personalisht shohin armikun më të egër egër të dinjitetit dhe lirisë së tyre, shpresës për një jetë më të mirë, sigurisë, të ardhmes dhe integrimit të vendit në Europë”, tha zoti Berisha.

Ai bëri përgjegjës qeverinë dhe kryeministrin Nano për papunësinë dhe emigrimin e lartë të banorëve.

“Nano, ik! Sepse ti, me monopolet e tu, të Dukëve, Malajvitëve, Baçëve, Naçëve etj. ke shkatërruar në 4 vjet 200 mijë vende pune”, theksoi zoti Berisha.

Mijërat e protestuesve u derdhën më pas në shëtitoren kryesore “Dëshmorët e Kombit” me thirrje e parrulla në duar. Ata ndaluan për disa minuta para ndërtesës së kryeministrisë, ku ishin përqëndruar një numër i madh policësh dhe forcash speciale, e më pas u mblodhën në fund të shëtitores te sheshi “Nënë Tereza”, për t’u kthyer edhe një herë në sheshin “Skënderbej” ku u shpërndanë qetësisht.

Socialistët reaguan të parët pas protestës. Sekretari i marrëdhënieve me publikun i Partisë Socialiste, Bardhyl Agasi, tha se nga politikanët opozitarë u dëgjuan vetëm akuza, por jo edhe alternativa për zgjidhjen e problemeve.

“Në protestën e sotme shqiptarët panë edhe një herë liderët e partive opozitare të merrnin fjalën në shesh po me atë gjuhë e zhargon politik që e përdorin prej vitesh. Shqiptarët dëgjuan vetëm fyerje, thirrje. Sharje për kreun e mazhorancës politike dhe qevrinë dhe nukdëgjuan asnjë fjalë se si mund të ketë më shumë drita, më shumë punë, më shumë rrugë, si mund tëluftohet më mirë korrupioni dhe trafiqet, për një integrim më të shpejtë në Bahkimin Europian dhe NATO. Nuk dëgjuan asnjë fjalë për bashkim dhe bashkëpunim”, tha zoti Agasi.

Veç partive, mbarëvajtjen e tubimit e vlerësoi edhe policia. Një zëdhënës i ministrisë së rendit publik tha se drejtuesit e policisë vlerësonin angazhimin e organizatorëve për rregullin gjatë protestës dhe mospërplasjen me forcat e rendit. I njëjti burim tha se policët kishin kapur nga kontrollet e makinave një furgon të mbushur me lëndë shpërthyese, i cili po hetohet për udhëtimin që kish marrë.

Ndërsa kryeministri Nano duke përpjekur të japë përshtypjen e një dite të qetë pune, mori pjesë të shtunën në një mbledhje të Këshillit të Rregullimit të Territorit, ku u diskutua një projekt për përmirësimin e qendrës së kryeqytetit.//kk//

XS
SM
MD
LG