Në Shqipëri, reforma zgjedhore megjithë ekspertizën ndërkombëtare ka vazhduar pa ndërprerje që prej vitit 1997. Para çdo raundi votimesh, pothuajse gjithmonë me konsulencën e OSBEsë, janë bërë rishikime dhe ndërhyrje. Në përfundim çdo tekst është vlerësuar se i përgjigjet standarteve ndërkombëtare. Por pasi mbyllen zgjedhjet, zbulohen difektet e reja. Këtë fat ka patur edhe kodi i fundit elektoral.
Reforma zgjedhore do të vazhdojë, bëri të qartë sot, ambasadori Osmo Liponen, kryetari i prezencës së OSBEsë në Tiranë. Me daljen pas pak ditësh të raportit përfundimtar të ODHIRit për zgjedhjet e pushtetit vendor, shpjegoi ambasadori Liponen, prezenca e OSBEsë do të fillojë konsultimet politike për të rifilluar vazhdimin e pritshëm të reformës zgjedhore.
Një ditë më parë kjo çështje u ngri edhe nga presidenti Alfred Moisiu në një letër drejtuar kryeministrit Fatos Nano dhe kryetarit të parlamentit Servet Pëllumbi. Presidenti vuri në dukje se gjatë zgjedhjeve të fundit vendore ishin konstatuar probleme serioze duke përmendur këtu që nga vonesat në financimin e partive deri tek parregullsitë në listat e votuesve dhe mosarritjen e balancimit të komisionit qëndror të zgjedhjeve. Presidenti theksonte se çështje të tilla si dhe ato që kanë të bëjnë me krijimin e regjistrit kombëtar të votuesve dhe përmirësimin e administrimit të zgjedhjeve janë probleme që kërkojnë zgjidhje. Për këtë arsye kreu i shtetit është shprehur se puna duhet të nisë sa më shpejt në mënyrë që në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare këto pengesa të jenë kaluar.
Sipas presidentit Moisiu ky proces duhet të bëhet në bazën e një vullneti politik me pjesëmarrjen e të gjitha palëve të interesuara. Të njëjtën nevojë ka shprehur edhe ambasadori i OSBEsë. Sipas tij në situatën politike e cila për fat të keq ka parë një mungesë të vullnetit politik, çështje të rëndësishme si reforma zgjedhore, kthimi i pronave dhe reformat territoriale kërkojnë arritjen e një marrëveshje të gjerë politike deklaroi zoti Liponen.
Ambasadori i OSBEsë i bëri këto komente para nisjes së tij në Vienë ku ai do të raportojë për zhvillimet e fundit në vend në Këshillin e Përhershëm të OSBEsë. Ambasadori Liponen vlerësoi edhe njëherë zhvillimin e qetë të manifestimit të fundit të opozitës të shtunën e shkuar. Ai deklaroi se qëllimi i prezencës së OSBEsë në Shqipëri vazhdon të jetë mbështetja e demokratizimit, shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut.
//rd//