Lidhje

Ali Ahmeti: Presidenti Trajkovski luftoi për drejtësi, barazi dhe humanizëm - 2004-02-27


E premtja në Maqedoni ishte ditë zie për Presidentin Boris Trajkovski, i cili humbi jetën më 26 shkurt në Bosnje Hercegovinën jugore. Maqedonasit ndezën qirinj para zyrës së Presidentit Trajkovski, ndërkohë që flaumrët valëviteshin në gjysmë shtizë. Edhe në Bosnje u shpall ditë zie. Avioni dy-motorësh i Presidentit Trajkovski u rrëzua në një zonë malore me mjegull të dendur në afërsi të qytetit Mostar. Autoritetet kanë gjetur kutitë e zeza të avionit dhe presin që ato t’i ndihmojnë për të përcaktuar shkakun e përplasjes. Por, zyrtarë të tjerë kanë shprehur shqetësim rreth avionit të zotit Trajkovski, duke thënë se mirëmbajtja e tij kishte qenë e dobët dhe se ai duhet të ishte nxjerrë jashtë përdorimit shumë kohë më parë. Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana u bëri thirrje maqedonasve të ruajnë unitetin e tyre kombëtar dhe të tregojnë kurajo në këtë kohë të vështirë. Mesazhe ngushëllimi për zotin Trajkovski u dërguan nga të gjitha anët e botës. Po si e shikojnë politikanët shqiptarë të ardhmen e Maqedonisë pa zotin Trajkovski? Në emisionin ”Ditari”, Zëri i Amerikës i mori këtë intervistë zotit Ali Ahmeti, Kryetari i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim.

Zëri i Amerikës: Zoti Ahmeti, Partia juaj është e vetmja parti shqiptare-pjesëtare e qeverisë së koalicionit të Maqedonisë, pra ju keni patur rastin ta njihni nga afër zotin Trajkovski. Nga kontaktet që keni patur me të këto vite, që pas Marrëveshje së Ohrit, si do ta mbani ju mend Presidentin Trajkovski dhe si do ta vlerësonit kontributin e tij për Maqedoninë?

Ali Ahmeti: Sigurisht që është një humbje dhe një dhembje për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, sepse zoti Trajkovski mori një përgjegjësi shumë të madhe që në periudhën e luftës dhe nuk ka qenë e lehtë asaj kohe, por tek ai nuk mungoi asnjëherë guximi që të luftojë për drejtësi, barazi dhe humanizëm që të gjithë qytetarët e Maqedonisë të jenë të barabartë para shtetit dhe para ligjit. Kështu që unë kam patur një varg takimesh me zotin Trajkovski dhe vërtetë për nga shpirti ka qenë një njeri human që mendonte në të mirë të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.

Zëri i Amerikës: Ju ishit sot në takimin me kryeministrin Çerevnkovski. Çfarë masash konkrete po merr qeveria për sigurinë e vendit?

Ali Ahmeti: Sigurisht që unë kam marrë pjesë në nivel të udhëheqve të partisë do të thotë të liderëve. Kam shkuar në takim me zotin Çervenkovski dhe në nivel të partive me zotin Penov. Ai dhe unë kemi ndarë mendim se në ditë dhimbje dhe zie nacionale nuk kemi hyrë në drejtim të trajtimit se si do të veprojmë për zgjedhjet e ardhshme, por të bëjmë solidarizim dhe ndajmë dhimbjen me familjet e viktimave dhe në familjen e presidentit.Të japim kontributin tonë që të gjitha institucionet e shtetit dhe ato ligjvënëse të jenë në krye të detyrës dhe të përgjegjësisë.

Zëri i Amerikës: Ju thatë se zoti Trajkovski njihej si një president që mbante qëndrime të moderuara, sidomos kur është fjala për respektimin e të drejtave të shqiptarëve. Kam parasysh sidomos rolin e tij në miratimin në Parlament të ligjit për Universitetin e Tetovës. Si e shikoni ju të ardhmen e Maqedonisë pa zotin Trajkovski? Zgjedhjet presidenciale janë caktuar të zhvillohen atje pas rreth 40 ditësh...

Ali Ahmeti: Sigurisht që unë e theksova që në fillim, humbja është e madhe, mirëpo të gjithë duhet të bëjmë përpjekje që në krye të këtij vendi të vihet një njeri që do të respektojë të gjithë qytetarët e Maqedonisë, që do të respektojë vullnetin e të gjithë partive politike dhe të marrë përgjegjësinë që e kish vetë zoti Trajkovski që ne, pa hezitim dhe me guxim të ecim përpara drejt integrimit të Maqedonisë në Nato dhe në shtetet e Bashkimit Evropian. Ky ishte synimi i zotit Trajkovski dhe për këtë synim ne të gjithë bashkërisht duhet të punojmë.

XS
SM
MD
LG