Lidhje

A përfiton Halliburton nga lidhjet me nënpresidentin Cheney? - 2004-02-28


Halliburton është një nga kompanitë më të mëdha të shërbimeve të naftës në botë dhe po bëhet emër i njohur. Ajo fitoi një pjesë të madhe të kontratave disa miliarda dollarëshe në Irak pas ndërhyrjes ushtarake amerikane atje.

Por emri i kompanisë po lakohet edhe për arsye të tjera: nënpresidenti Dick Cheney drejtoi Halliburtonin për 5 vjet me radhë para se të vinte në pozitën e tanishme në administratën e presidentit Bush.

Tani, si Halliburtoni edhe zoti Cheney po sulmohen nga kritikët, midis tyre ligjëvënës demokratë si senatorja nga Kalifornia Barbara Boxer.

“Kemi mësuar se Halliburtoni ka mbingarkuar taksapaguesit amerikanë me 61 milion dollarë për shitjet e gazit. Kompania ka pranuar në Pentagon se dy nga punonjësit e saj morën 6 milion dollarë rryshfet pasi i dhanë një firme me qendër në Kuvajt një kontratë për të furnizuar trupat amerikane në Irak”, tha senatorja.

Halliburtoni ka rënë dakort të pezullojë faturat për të lejuar revizorët e Pentagonit të hetojnë akuzat. Megjithatë, kompania thotë se kjo nuk duhet kuptuar sikur ajo vërtet ka vepruar padrejtësisht.

Ndërkohë Halliburtoni vazhdon punën për rindërtimin e sektorit të naftës në Irak dhe të mbështesë trupat amerikane duke ndërtuar baza dhe duke i furnizuar ato me ushqime, veshje dhe shërbime të tjera. Vëzhguesit pohojnë se kompania vepron në kushte mjaft të vështira dhe ka dhënë ndihmesë të madhe në Irakun e pasluftës.

Por kritikët thonë se kjo nuk i jep kompanisë të drejtën të spekulojë dhe të luajë me paratë e taksapaguesve amerikanë. Partia Demokrate e opozitës po e trajton punën e kompanisë dhe lidhjet e saj të mundëshme me administratën e presidentit Bush si një temë të rëndësishme të fushatës presidenciale. Një nga akuzat është se nënpresidenti vazhdon të marrë pagesë nga kompania. Ligjvënënësi Frank Lautenberg është anëtar i komisionit të senatit për çështjet qeveritare.

“Disa muaj më parë mësova se nënpresidenti Cheney i cili ishte drejtor ekzekutiv i kompanisë para se të vinte në këtë post, vazhdon të marrë nga kompania të ardhura që janë më të mëdha se rroga e tij si nënpresident. Nga hetimet e një zyre të Kongresit del se marrëdhëniet e tij finaciare me kompaninë nuk janë ndërprerë”, thotë senatori.

Raporti zbuloi se sipas standarteve të etikës federale, mund të thuhet se nënpresidenti ka ende interesa financiare tek Halliburtoni. Zoti Cheney i mohon këto akuza.

“Që kur u largova nga Halliburtoni për tu bërë nënpresident i kam shkëputur lidhjet me kompaninë dhe nuk kam më interesa financiare aty. Nuk kam patur interesa të tilla për tre vjet dhe si nënpresident as nuk kam patur ndonjë ndikim as nuk jam implikuar në ndonjë kontratë”, tha zoti Cheney.

Shumë vëzhgues nuk mendojnë se ka ndonjë lidhje direkte të zotit Cheney me kompaninë. Por Bill Allison i Qendrës për Integritetin Publik mendon se ekziston një lidhje indirekte. Ai thotë se pasi përfundoi detyrën si sekretar i mbrojtjes në administratën e presidentit Bush në vitin 1989 zoti Cheney edhe pse pa përvojë, filloi punën si zyrtar i lartë në kompaninë Halliburton. Faktet tregojnë se gjatë periudhës 5 vjeçare me këtë kompani, Halliburton i dyfishoi kontratat me qeverinë amerikane.

Sot, shumë figura që shërbejnë në qeveri më pas marrin rroga të larta në sektorin privat pasi shfrytëzojnë njohuritë që kanë për punën me kontratat qeveritare. Disa analistë janë të shqetësuar për këtë ndërthurje të shërbimit publik me biznesin privat. Meqë një pjesë e madhe e buxhetit të mbrojtjes shkon për kontrata private - gati 150 miliardë dollarë në vit - analistët thonë se tenderat duhet të jenë më transparentë.//kk//

XS
SM
MD
LG