Lidhje

Shtetet e Bashkuara luftojnë për të drejtat e njeriut në botë - 2004-02-29


Në raportin e sapo publikuar të Departamentit amerikan të Shtetit mbi të drejtat e njeriut, shkruhet se Sekretari i Shtetit, Kolin Pauëll, përqendrohet tek shkeljet dhe përparimet që bëhen në të gjithë botën: “Shpresojmë, thotë Sekretari Pauëll, se raporti do të ndihmojë kauzën e burrave dhe grave të guximshme të të gjithë globit që punojnë për të drejtat e njeriut dhe liritë demokratike në vendet tyre”.

Gjatë vitit të kaluar është vënë re një farë përparimi drejt respektimit të të drejtave të njeriut dhe janë ngjallur shpresat për përparim më të madh në këtë drejtim. Në Afganistan, Loja Xhirga miratoi një kushtetutë që njeh liritë themelore, përfshirë të drejtat e grave. Në Irak, një koalicion ndërkombëtar përmbysi tiraninë e Sadam Huseinit. Tani, irakianët gëzojnë lirinë e fjalës, të tubimit, të fesë dhe shumë të drejta të tjera. Dhe disa prej irakianëve, si Ibrahim Xhabar Hasani, një mësues në qytetin Nasirijeh, kanë pasur rastin të votojnë në zgjedhje vendore. “Kjo ishte prova janë e parë e demokracisë”, thotë zoti Hasani, i cili pret me pa durim zhvillimin e zgjedhjeve kombëtare.

Në disa pjesë të tjera të botës, gjendja është më pak premtuese dhe në disa raste edhe e zymtë. Në Korenë komuniste të Veriut mbretëron një nga regjimet më çnjerëzore të botës. Atje as që bëhet fjalë për të drejtat bazë të njeriut dhe qeveria ka ngritur një sistem masiv burgjesh e kampesh. Gjendja tepër e rëndë e të drejtave të njeriut në Birmani është përkeqësuar edhe më tej. Në Kubë, regjimi komunist i Fidel Kastros ka burgosur një numër të madh disidentësh që luftojnë me mjete paqësore. Dhe qeveria e Zimbabvesë vazhdon fushatën e saj shtypëse për të qendruar në pushtet.

Në Kinë, është vënë re një keqësim në disa aspekte i të drejtave të njeriut, përfshirë arrestimin e veprimtarëve për demokraci, punëtorëve protestues, avokatëve mbrojtës të disidentëve dhe të njerëzve që kërkojnë të shfrytëzojnë internetit për shprehjen e lirë të pikëpamjeve të tyre. Në fushën e të drejtave të njeriut ka pasur prapësime të ndjeshme edhe në vende të tjera si Irani e Turkmenistani.

Për t’iu kundërvënë këtyre prirjeve, Shtetet e Bashkuara po mbështesin programe në të gjithë botën për forcimin e shtetin ligjor dhe për nxitjen e mjeteve të pavarura të informimit, lirisë fetare, si edhe të të drejtave të pakicave e të grave. Objektivi i Shteteve të Bashkuara, ka thënë Presidenti Bush, është paqja demokratike, një paqe e mbështetur në dinjitet dhe të drejtat e çdo burri e gruaje.” //az//

XS
SM
MD
LG