Lidhje

Irak: arrihet marrëveshje për kushtetutën e përkohshme - 2004-03-01


Këshilli Qeverisës i Irakut arriti marrëveshje mbi një kushtetutë të përkohshme, pas bisedimeve të gjata lidhur me rolin që duhet të luajë Islami në qeverisjen e vendit dhe për çështje të tjera të debatueshme.

Këshilli prej 25 anëtarësh e arriti marrëveshjen sot, pas shumë ditë debatesh shpesh të ashpra, të cilat u zhvilluan nën mbikqyrjen e kryeadministratorit amerikan Paul Bremer.

Kushtetuta përcakton ligjet bazë për qeverinë e përkohëshme e cila duhet të marrë në duart e saj kontrollin e vendit më 30 qershor nga forcat e koalicionit. Kushtetuta gjithashtu përfshin një bill të të drejtave dhe njeh rolin e Islamit.

Zyrtarët thonë se dokumenti ishte rrjedhojë e shumë kompromiseve, por shumica e anëtarëve të këshillit u thanë gazetarëve se ishin të kënaqur. Kushtetuta pranon parimin e federalizmit, që do të lejojë kurdët të vazhdojnë vetqeverisjen tani për tani por ia le zgjidhjen e kësaj çështjeje një asambleje kombëtare e cila do të zgjidhet në të ardhmen.

ÇFARË PARASHIKON KUSHTETUTA IRAKIANE

Kushtetuta e përkohshme e miratuar nga Këshilli Qeverisës Irakian sot në mëngjes, parashikon votime nga fillimi vitit 2005 për zgjedhjen e asamblesë kalimtare kombëtare. Asambleja do të krijojë pastaj një qeveri dhe më në fund do të miratojë një kushtetutë të përhershme.

Në kushtetutën e përkohshme thuhet se qeveria do të ketë një president, dy zëvendës dhe një kabinet. Disa anëtarë të Këshillit Qeverisës po kërkojnë me forcë një presidencë prej të paktën tre anëtarësh, të cilët do të luanin me radhë rolin e presidentit.

Sipas kushtetutës së përkohshme, 25 për qind e asamblesë kombëtare duhet të përbëhet nga gratë.

Nenet e kushtetutës që lidhen me të drejtat e njeriut garantojnë lirinë e fjalës dhe të besimit.

Në kushtetutë thuhet se në Irak nuk ka vend për grupe të pavarura të armatosura. Sipas një zyrtari të koalicionit, kjo do të thotë që grupet e tanishme të armatosura, përfshirë grupet fisnore kurde, do të shkrihen.//ii

XS
SM
MD
LG