Lidhje

Vazhdojnë debatet për filmin "Pasioni i Krishtit" - 2004-03-04


Filmi dramatik me temë fetare “Pasioni i Krishtit”, me regjisor Mel Gibsonin, ka shkaktuar diskutime, për shkak të temës që trajton - kryqëzimi i Jezu Krishtit. Por me sa vërtetësi e paraqet filmi i Mel Gibsonit historinë më të madhe të treguar ndonjëherë nga njerëzimi? Korrespondentja e Zërit të Amerikës Penelope Poulou i hedh një vështrim filmit.

Një natë me hënë dhe Jezu Krishti i pikëlluar lutet i vetëm. Ai pret ta arrestojnë nga momenit në moment...dhe më pas të kryqëzohet. Ndërsa ai lutet dhe qan, dishepujt e tij flenë aty pranë... Por djalli qëndron i zgjuar, në përgjim të Jezusit, duke u përpjekur ta dobësojë vendosmërinë e tij për t’u vetë-sakrifikuar. Kjo skenë e hapjes së filmit është sa e fuqishme, edhe ogurzezë.

Filmi është xhiruar në gjuhën aramaike dhe latinisht, me përkthim në anglisht. Regjisori Mel Gibson zgjodhi këto gjuhë të lashtësisë, për t’i qëndruar besnik periudhës së Biblës. Por “Pasioni i Krishtit” nuk është një film që mbështetet tek dialogu, ai mbështete më tepër tek pamjet. Pamje tepër të dhunshme dhe të rënda, sidomos gjatë torturave...

“Me këtë film Mel Gibsoni synon ta çojë spektatorin në botën që ai përshkruan dhe që njerëzit të kenë një ide se si janë zhvilluar ngjarjet, thotë aktori Xhim Kaviezel, i cili luan rolin e Jezu Krishtit.

Kaviezel thotë se atë që Mel Gibsoni e quan realiste, shumë kritikë thonë se është pamje tepër e dhunshme. Skena kur Krishti torturohet nga romakët, zgjat për 45 minuta dhe torturat janë kaq të rënda, sa që nuk ke si të mos ndjesh emocione...

Torturat ndaj Krishtit nuk janë bindëse. Torturuesit janë ushtarë romakë. Historikisht, ata kanë qenë tepër të disiplinuar, ndërsa tek “Pasioni”, ata paraqiten si të etur për gjak. Romakët qeshin ndërsa torturojnë Krishtin.

Gjithashtu është e vështirë të pranosh në film, që priftërinj të lartë hebrej, që vetë janë njerëz fetarë, e trajtojnë një njeri të torturuar kaq rëndë me një urrejtje të tillë dhe kërkojnë edhe kryqëzimin e tij. Gjatë të gjithë filmit, Krishti ka vetëm një numër të vogël përkrahësish, të cilët qajnë në heshtje për të. Ndërsa priftërinjtë hebrej, të pasuar nga qindra njerëz, thërrasin, duke kërkuar vdekjen e tij. Nuk është për t’u çuditur fakti që disa kritikë kanë thënë se filmi i Mel Gibsonit ka ngjyra të antisemitizmit. Në se ka ndodhur vërtet kështu 2 mijë vjet më parë, regjisori nuk jep një kontekst politik, apo fetar se përse ka ndodhur kështu.

Por megjithë disa dobësi, disa nga personazhet e filmit, si Satani nën inerpretimin e Rozalinda Çelentanos dhe vetë Jezu Krishti janë figura tepër të arritura. Regjisori Mel Gibson thotë se me përshkrimin që u bën torturave të Krishtit ai sjell mesazhin e dashurisë dhe sakrificave, por për spektatorët, ky mesazh humbet mes torturave të përgjakshme.

XS
SM
MD
LG