Lidhje

Xhenierët në Prishtinë çaktivizojnë një bombë të vendosur pranë zyrtave qendrore të UNMIK-ut - 2004-03-06


Policia ndërkombëtare në Kosovë konfirmoi të shtunën se kishte marrë një thirrje telefonike për vendosje të një bombe në një vend pranë zyrave qendrore të misionit të OKB-së në Prishtinë dhe më pas kishte zbuluar një paisje të dyshimtë të vendosur në një çantë të zezë sportive pranë gardhit të vend-parkimit të makinave të UNMIK-ut. Policia tha se thirrja telefonike ishte bërë rreth orës 2 të mëngjesit të së shtunës, ndërkohë që ishte organizuar menjëherë kërkimi dhe zona ishte siguruar.

Një grup xhenierësh ka zhvilluar hetime dhe është zbuluar dhe në çantë ndodhej një paisje e improvizuar që përmbante sasi eksplozivi të lidhur me bateri dhe kronometër. Rreth orës 4 të mëngjesit, paisja është çaktivizuar dhe një grup i mjeksisë ligjore po analizon pjesët e saj.

Hetimet për dëshmi dhe ndonjë paisje të dytë vazhdojnë ndërkohë që zona vazhdon të mbahet e rrethuar. Zëdhënësi i policisë, Derek Çepëll, thotë se ky veprim kriminal po hetohet mr hollësi.

Po të shtunën, Kryeadministratori i Kosovës, Harri Hollkeri, e dënoi vendosjen e kësaj bombe të improvizuar dhe tha se paisja shpërthyese e vendosur pranë ndërtesës kryesore të UNMIK-ut në Prishtinë ”vuri në rrezik qytetarët e Kosovës”. Zoti Hollkeri thekson në deklaratën me shkrim të UNMIK-ut se i ”vjen keq që ekstremistët vazhdojnë të kërcënojnë popullin e Kosovës me këto veprime”.

Zoti Holkeri siguroi gjithashtu publikun se përveç hetimeve të policisë që janë në vazhdim e sipër, po merren masa-shtesë të sigurisë për të parandaluar sulme të tjera të këtij lloji në të ardhmen. Ende nuk është dhënë asnjë informacion për autorët e këtij veprmi dhe motivet e tyre. //az//

XS
SM
MD
LG