Lidhje

Gjermania kërkon një mbledhje të zyrtarëve të sigurimit të BE-së - 2004-03-12


Qeveria gjermane kërkoi një mbledhje të menjëhershme të zyrtarëve evropianë të sigurimit për të diskutuar mbi kërcënimin që përbën al-Qaida, e cila me sa duket kishte gisht në shpërthimet e së enjtes në Madrid ku gjetën vdekjen 200 vetë.

Ministri i brendshëm gjerman, Otto Schilly tha të dielën se videokaseta e gjetur të shtunën ku merrej përgjegjësia për sulmet e Madridit, nënkupton se Evropa përballet me kërcënime të një cilësie të re nga terrorizmi islamik. Ai i bëri thirrje publikisht kryeministrit të Irlandës së Veriut, Bertie Ahern, vendi i të cilit mban kryesinë e radhës të Bashkimit Evropian, që të thërrasë një takim të zyrtarëve të lartë të sigurimit brenda javës së ardhshme.

Qeveria spanjolle thotë se nuk arriti të identifikojë një njeri që mendohet të jetë zëdhënësi i al-Qaidës, i cili shfaqej në videokasetën e gjetur të shtunën. Ministri i Brendshëm Angel Acebes tha të dielën në një konferencë shtypi se ky person nuk u identifikua dot, as pas konsultimeve me autoritetet britanike, franceze dhe portugeze.

Ndërkohë autoritetet marokene i kanë identifikuar tre marokenët e ndaluar nga policia spanjolle në lidhje me shpërthimet. Ministri i Komunikacionit Nabil Bengdallah tha sot në Rabat se ata janë nëpunësi Jamal Zougam, mekaniku Mohamed Bekkali dhe një punëtor fabrike Mohamed Chaoui. Që të tre janë në të 30-at.//kk//

XS
SM
MD
LG