Lidhje

Gazetarët: shteti ndërhyn fuqishëm ndaj mediave në Shqipëri - 2004-03-12


Raporti i publikuar pardje nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve me qendër në Nju Jork, shprehet me kritika për gjendjen e medias në Shqipëri, gjatë vitit që kaloi. Në raport thuhet se lufta e vazhdueshme politike dhe gjendja e dobët ekonomike vazhdojnë ta bëjnë Shqipërinë një vend kaotik dhe të vështirë për shtypin e pavarur. Gazetarët shqiptarë u bënë objekt i trysnisë së qeverisë, i padive për shpifje, i pushimeve nga pronarët e politizuar dhe i privimeve nga informacioni qeveritar, sidomos kur hetonin për korrupsion dhe krimin e organizuar. Për të biseduar për disa nga këto çështje, Zëri i Amerikës intervistoi dy gazetarë, zotin zotin Mero Baze, kryredaktor i gazetës ”Tema” dhe zotin Blendi Fevziu, gazetar në televizionin ”Klan”.

Zëri i Amerikës: Zoti Fevziu, fillimisht cili është reagimi juaj per raportin e fundit, sa e fuqishme është ndërhyrja e shtetit ndaj shtypit në Shqipëri?

Blendi Fevziu: Besoj që ndërhyrja e shtetit ka qenë dhe mbetet e fuqishme, ndaj mediave në Shqipëri, një gjë që nuk është një fenomen vetëm i vitit të fundit, pavarësisht se gjatë vitit të fundit ka patur kurba ngritjeje dhe normalizimi më të mëdha, mbase se sa vitet e tjera. Përsa i takon raportit më të fundit, të paktën personalisht, kam një objeksion, më duket se vazhdimisht raportet transportojnë nga njëri raport në tjetrin të njëjtën problematikë të viteve të kaluara. Po marr një detaj të thjeshtë nga raporti i fundit. Në raportin e fundit thuhet se televizioni kombetar ”Klan”, meqenëse po flas në emër të Klanit, është nga ato televizione që ka mbuluar zhvillimet, duke krijuar një lloj përkrahjeje për qeverinë. Kushdo që ka ndjekur televizionin Klan, ose evoluimin e mediave elektronike shqiptare dhe shtypin e përditshëm, mund ta thotë me gojën plot, që kritikat ndaj qeverisë kanë qenë shumë të forta, jo vetëm në televizionin Klan, por edhe në një pjesë të madhe të mediave, sidomos të shtypit të shkruar në Shqipëri. Kështuqë, nuk më duket, të paktën, se në këtë pikë raporti është realist. Me sa duket, këtij raporti i mungojnë një pjesë e burimeve të informacionit, ndërkohë që ka saktësi dhe objektivitet në disa gjëra të tjera.

Zëri i Amerikës Zoti Baze, një nga kritikat që i bëhet shtypit në Shqipëri është politizimi i tij, mbajtja e qëndrimeve pro kësaj, apo asaj force politike. A mendoni se shtypi në Shqipëri i ofron publikut një informacion të balancuar?

Mero Baze: Problemi real që i është krijuar shtypit në Shqipëri, është pamundësia për të qenë një shtyp i lirë dhe i pavarur, për shkak të formatit ku e ka vendosur shteti hapesiren e mundesive për të ngritur një shtyp të lirë. Më konkretisht, do të thoja se sot nuk kemi thuajse asnjë institucion shtypi, asnjë redaksi shtypi, përfshi ato që janë pro-qeveritare, ose anti-qeveritare, që të jenë të marketizuara dhe që të funksionojnë falë tregut. Të tilla organe në Shqipëri janë vetëm disa javore zbavitëse, me fjalë-kryqe, apo kërkesa për njohje midis djemsh dhe vajzash, e gjithë pjesa tjetër e shtypit, është një shtyp që nuk mbijeton dot, për shkak të hapësirës së ngushtë që i ka krijuar shteti shqiptar dhe politika shqiptare e shtypit. Për këtë arsye, shtypi shqiptar është i subvencionuar në mënyrë ilegale nga lobe të lidhura me poltikën dhe nga biznesi, i cili është kthyer në një gardian të poltikës në raport me shtypin. Për këtë arsye, nuk mund t’i bëjmë gjyq një shtypi, i cili nuk funksionon dot si një shtyp që mban distancë nga politika, për shkak se politika i ka mbyllur të gjitha mundësitë për të qenë një shtyp i marketizuar, që të funksionojë falë rregullave të tregut dhe të përpiqet për rritjen e personalitetit të gazetarëve dhe ekipeve botuese të tij.

Zëri i Amerikës: Zoti Fevziu, t’i kthehemi përsëri raportit: atje thuhet se qeveria ka përdorur reklamat për kompanitë shtetërore, si joshje financiare për ato media që flasin pozitivisht mbi politikat e qeverisë. Kjo varësi financiare, sa e dëmton integritetin e shtypit, si dhe mbulimin e fenomeneve te tilla si korrupsioni dhe krimi i organizuar?

Blendi Fevziu: Ky është një debat i hershëm në Shqipëri, në të vërtetë dhe mjaft problematik, për arsye se pjesa më e madhe e publicitetit që botohet në të përditshmet shqiptare vjen kryesisht nga strukturat shtetërore, ose nga administrata shtetërore. Për këtë arsye, dihet që ka patur një lloj problemi, ose një lloj marrëdhënie të tensionuar midis shtypit dhe mediave në këtë aspekt. E para, për arsye se një pjesë e mediave kanë mbetur pa u përfshirë në këtë projekt dhe se një pjesë tjetër e mediave kanë mbetur të përfshira në këtë projekt, në një moment që ndoshta nuk e meritojnë. Kështu që, ky është një debat i gjerë. Por, të thuash që kjo reklamë shtetërore ka kondicionuar politikën e editimit të gazetave, kjo më duket më tepër se e ekzagjeruar dhe jo korrekte. Mund të flitet që ka patur probleme, ose që politika e editimit të gazetave është diktuar nga interesa të mëdha që mund të vijnë nga problemet e pronësisë së shtypit ose nga probleme të biznesit lidhur me politikën, por të thuash që katër reklama, pesë reklama, dhjetë reklama që jepen për gazetat, kanë diktuar politikën e botimit të gazetave, kjo është absurde. Dhe ka një argument në këtë drejtim. Pjesa më e madhe e gazetave në Shqipëri nuk janë gazeta që subvencionohen thjesht nga reklamat e shtetit, por janë gazeta që mbahen nga biznese të caktuara, të cilat mund të kenë interesa të lidhura me shtetin. Kështu që nuk besoj se është thjesht problemi i financimit të reklamave shtetërore ai që e mban të frenuar, ose që i bën të frenuara gazetat, përsa i takon politikës së kritikave ndaj shtetit.

Zëri i Amerikës: Zoti Baze për shtypin e shkruar është thënë shpesh se del me humbje po të mos ekzistonte mbështetja financiare nga partitë ose nga bizneset. Sa ndikon kjo varësi ekonomike për objektivitetin e këtyre gazetave?

Mero Baze: E theksova edhe më lart se dëmi më i madh që i është bërë shtypit shqiptar është dëmi që i është krijuar tregut të tij. Pra është një shtyp jo konkurrent, një shtyp që përpiqet të jetojë përmes sponsorizimeve të paligjshme. Nga ana tjetër, përveç mungesës së tregut konkurrent të shtypit, mungon edhe tregu i reklamave konkurrente në Shqipëri. Thuajse asnjë biznes në Shqipëri, përfshi edhe bizneset e mëdha që ju thatë, nuk reklamojnë për shkak të interesave të tyre, për të qënë në treg si operator reklamash, por janë në treg me reklamat e tyre për të ndihmuar një redaksi apo tjetrën, e cila ka një raport të caktuar me qeverinë. Mjaftoj të kujtoj se disa nga kompanitë e mëdha shqiptare, siç është kompania AMC, sponsorizon me qindra mijëra dollarë një këngëtar dhe nuk bën asnjë sponsorizim, megjithëse në Shqipëri ka ligj për sponsorizimet kulturore, për revistat kulturore siç është Alef apo Fjalë, apo organe të tilla për të cilat shteti i subvencionon kompanitë e mëdha nëse sponsorizojnë. Përkundrazi ato sponsorizojnë gjëra rozë, të lehta, dhe kanë krijuar një treg inflacionist reklamash, një treg i cili, as si treg reklamash nuk vlen. Vlen thjesht si treg sponsorizues ilegal, domethënë i fshehur dhe jo i drejtëpërdrejtë. Pra përveç dëmit që na është krijuar që nuk ka një treg shtypi konkurent, nuk kemi asnjë treg reklamash, ku operatorët e biznesit të hyjnë në treg për të reklamuar produktet e tyre. Ata hynë nën maskën e reklamave për të sponsorizuar shtypin dhe natyrisht kjo ka gjithmonë një prapavijë politike.

Zëri i Amerikës: Zoti Fevziu, një anë tjeter e medaljes së problemeve te shtypit, veç trysnise ekonomike, është abuzimi i tij me lirinë. E kam fjalën për spekulimet e shumta ose informacionet jo të konfirmuara. Sa e dëmtojnë këto besueshmërinë në publik të shtypit shqiptar?

Blendi Fevziu: Kjo është një temë mjaft interesante dhe është një temë e parë gjithmonë si “delja e zezë shtypi”. Por duhet të keni parasysh që shtypi shqiptar është reflektim direkt i shoqërisë shqiptare, reflektim direkt i fushave përkatëse të kësaj shoqërie siç është politika, kultura, biznesi dhe gjithçka tjetër në këtë drejtim. Kështu që dhe pjesa e abuzivizmit të shtypit ka po të njëjtën dozë, ose abuzivizmi i shtypit është po në ato doza që është edhe abuzivizmi në të gjitha pjesët e tjera të shoqërisë shqiptare. Kështu që nuk mund të pretendoni dhe askush nuk mund të pretendojë që shtypi do të ishte një ishull i izoluar nga gjithë pjesa tjetër e shoqërisë, një ishull perfekt, një ishull i cili do të zbatonte standartet më maksimale të një shoqërie demokratike, ndërkohë që pjesa tjetër e shoqërisë është në një nivel shumë të distancuar. Unë e kam thënë vazhdimisht, shtypi ashtu sikurse politika, sikurse biznesi, sikurse gjithçka tjetër në këtë vënd, sikurse edhe shoqëria civile e Shqipërisë janë të gjitha hallka të një zinxhiri, të cilat tërheqin njëra-tjetrën. Nuk bëhet fjalë për dikë që është më shumë apo më pak mëkatar. Dihet që edhe shtypi ka ndjekur rrugën e tij të zhvillimit, sikurse ka ndjekur gjithë kjo shoqëri, në një emancipim dhe në një demokratizim gjithmonë e më të madh me kalimin e kohës.

Zëri i Amerikës: Zoti Baze, në këto kushte sa ka rënë interesi i popullatës ndaj shtypit?

Mero Baze: Nuk besoj se kemi një rënie të interesit të qytetarëve për shtypin sidomos për shtypin e shkruar dhe natyrisht për mediat televizive. Shtypi i shkruar ka dëmtuar në një farë mënyre tirazhet e tij për shkak të futjes në tregun e shtypit të elementëve jo konkurentë siç janë gazetat e sponsorizuara nga biznesmenët të cilët e kanë bërë shumë relativ informacionin, i kanë bërë shumë relative të vërtetat dhe kanë rrëzuar në përgjithësi autoritetin e shtypit. Por mendoj se elementët kryesorë të presionit që veprojnë mbi shtypin e lirë, përveç futjes së elementëve antitreg në tregun e shtypit, ngelem i mendimit që janë elementët politikë dhe qëndrimet tërësisht politike që shteti mban për ta mbajtur atë nën kontroll përmes presioneve financiare, përmes gjyqeve ndaj kryeredaktorëve dhe gazetarëve që shkurajojnë dhe mendoj që tani janë vendosur gati kritere klasore për tenderat e reklamave. Janë vendosur kritere të tilla, sepse i kërkohet redaktorit të çdo gazete të paraqesi në tender dokumenta që tregojnë se nuk është i dënuar ose nuk ndiqet. Unë përshembull që jam në gjyq me Fatos Nanon, me zotin Gjinushi, me zotin Dokle nuk mund të paraqitem në asnjë tender reklamash, jam një lloj kulaku i ri i shtypit i cili është i ndaluar të marri pjesë ose të përfitojë nga tenderat shtetërore të reklamave për shkak të kritereve klasore që janë vendosur në këto momente për shtypin shqiptar. Për këtë arsye mendoj se tregu i shtypit më shumë sesa i dëmtuar nga tirazhi, është i dëmtuar nga elementët konkurues të tij dhe ky do të jetë virusi që do ta shkatërrojë atë në se nuk ndërhyet sa më shpejt.

XS
SM
MD
LG