Lidhje

Jeta e aktores Demi Moore - 2004-03-14


Demi Moore u lind në Roswell të New Mexicos, me 11 nëntor 1962. Shteti New Mexico shtrihet në jugperëndim të Amerikës dhe kufizohet nga Meksika në jug, Teksasi në lindje, Arizona në perëndim dhe shteti i Kolorados në veri. Babai i Demit ishte pjestar i forcave ajrore amerikane. Ai u nda nga mamaja e aktores, para se ajo të lindte. Emri Demi është shkurtim i emrit Dimitria.

Mamaja e Demit, u martua me një burrë të quajtur Danny Guynes. Thuhet se familja u shpërngul në rreth 30 vende të ndryshme, ndërkohë që Demi ishte ende fëmijë. Një ditë, Demi mësoi se Danny nuk ishte babai i saj i vërtetë. Ai vrau veten, kur Demi ishte adoleshente. Demi braktisi shkollën në moshën 16 vjeçare dhe u martua me këngëtarin e muzikës rok, Freddy Moore, në moshën 18 vjeçare. Martesa zgjati vetëm 4 vjet.

Në vitin 1982, Demi Moore filloi të luante në një serial televiziv të quajtur, General Hospital, Spitali Publik, që transmetohej gjatë ditës. Pas disa vitesh, ajo debutoi në filmin ”Saint Elmo’s Fire”- ”Zjarri në Shën Elmo”. Gjatë xhirimeve ajo u njoh me aktorin Emilio Estevez dhe filloi të shoqërohej me të. Por në 1987, ajo u njoh me aktorin Bruce Willis gjatë një premiere filmi. Katër muaj më vonë Bruce dhe Demi u martuan. Martesa zgjati 11 vjet. Çifti pati tre vajza, Rumer, Scout dhe Tallulah.

Aktorja Demi Moore njihet për filmin, ”Ghost” Fantazma. Por një vit pas këtij filmi, Demi Moore u shfaq pa rroba dhe shtatzënë, në kopertinën e revistës prestigjoze “Vanity Fair”. Më pas, ajo luajti në disa filma që nuk patën sukses. Ndër ta ishin edhe filmat, ”The Scarlet Letter”, ”Streaptease” dhe ”G.I. Jane”.

Vitet e fundit, krijimtaria e Demi Moore u pa në regjizurën e filmave komik të Mike Myers, Austin Powers. Gjithashtu ajo u rikthye edhe para kamerave. Ajo luajti në pjesën e dytë të filmit ”Charli’s Angels”, Engjujt e Çarlit. Dhe kohët e fundit, fotot e aktores 41 vjeçare me një djalosh të ri, janë bërë objekt i medias kudo në botë. Miku i saj i fundit është aktori Ashton Kutcher i cili muajin e kaluar festoi 26 vjetorin e lindjes.//kk//

XS
SM
MD
LG